
Kolegji Zgjedhor ka vendosur hapjen e kutive të votimit në Bashkinë e Kuçovës. Kandidati i “Bashkë Fitojmë” Lefter Maliqi ankimoi rezultatin e 14 majit, duke pretenduar se zgjedhjet u manipuluan nga PS dhe kandidati i saj Kreshnik Hajdari. Sot u mbajt seanca në Kolegj dhe u vendos që për 18 qendra të bëhet rinumërimi i votave.
Rinumërimi i do të bëhet të premten, më 30 qershor, në orën 9:00 në ambientet e KQZ.
Lefter Maliqi humbi për shumë pak vota përballë kandidatit socialist. Më pas ai denoncoi shumë shkelje të konstatuar gjatë procesit të votimit dhe numërimit të votave. KQZ dhe KAS nuk pranuan provat e tij, por Kolegji ka menduar ndryshe, duke dhënë një sinjal se pas Shijakut që u vendos të kemi zgjedhje të reja, në Kuçovë të bëhet transparencë.
Gjatë seancës gjyqësore që zgjati gati 9 orë, Kolegji këqyri pamjet e kamerave të disa qendrave të votimit, ku u konstatua se në disa prej tyre kishte votim familjar, vëzhgues që shkonin brenda dhomës së fshehtë të votimit e vëzhgues që ndihmonin votuesit në palosjen dhe futjen në kuti të votave.
Sipas paditësit Lefter Maliqi, votim familjar ka pasur të paktën në 1254 raste. Po ashtu, nga pamjet filmike të shfaqura në seancë u konstatuan disa qendra votimi ku kamera e KQZ nuk kishte funksionuar fare, në disa të tjera ishte e shfokusuar, si edhe raste ku nga këndi i vendosjes së saj nuk shquheshin dhomat e fshehta dhe kutitë e votave.
Avokati i Lefter Maliqit në një deklaratë për mediat tha se KQZ është një institucion i kapur politikisht dhe se vendimet e marra prej këtij institucioni janë në interes të një personi apo një subjekti të caktuar.
“KQZ ka manipuluar procesin është një institucion i kapur politikisht. Merr vendime në interes të një personi apo subjekti të caktuar. Kemi të bëjmë me pavlefshmëri të totale të zgjedhjeve, pasi shtetasi kreshnik Hajdari nuk ka pasqyruar në formularin e dekriminalizimit fakte të vërteta.
KAS një çerdhe krimi siç ka vendosur në rastin aktual. Vetë gjykata e ka cilësuar si të tillë përderisa ka vendosur hapjen e kutive”, tha ai.
Lini një Përgjigje