TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Dhjetor 2025, 09:09

Gjyqtarët e Kushtetueses me sytë nga zgjedhjet e reja në SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Gjyqtarët e Kushtetueses me sytë nga zgjedhjet e reja në SPAK
Gjykata Kushtetuese /

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese po presin sinjalet e ndërkombëtarëve përpara se të ndërmarrin një vendim sovran për pezullimin e zv.kryeministres, duke komprometuar autoritetin e institucionit

Gjykata Kushtetuese shtyu pa asnjë arsye ligjore shqyrtimin e kërkesës së Edi Ramës për çështjen Balluku deri më 12 dhjetor. Shtyrja përkon me ditën kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjedh kreun e ri të SPAK, çka tregon se anëtarët e trupës kushtetuese po presin drejtimin e ndërkombëtarëve përpara se të interpretojnë ligjin. Ndërkohë, Kushtetuesja kishte mundësi të vepronte menjëherë dhe të vendoste shpejt, por e kushtëzoi axhendën me proceset e SPAK, duke humbur autonominë që parashikon Kushtetuta.

Marrja e kohës nga Gjykata Kushtetuese për shqyrtimin e çështjes Balluku ka vetëm një shpjegim. Anëtarët e institucionit që interpreton ligjin themeltar po ngurrojnë të marrin një vendim sovran. Gjykata Kushtetuese nuk kishte asnjë arsye për të shtyrë shqyrtimin e kërkesës së kryeministrit për rrëzimin e vendimit të GJKKO-së që pezulloi numrin dy të qeverisë.

Ajo mund të mblidhte menjëherë seancën plenare, si në rastin e Erion Veliajt, të thërriste palët, të jepte seancën live dhe secili anëtar të bënte pyetjet që dëshironte. Pas mbylljes së seancës mund të merrte dy ose tre ditë për të vendosur me qetësi dhe reflektim. Shtyrja deri më 12 dhjetor nuk ka lidhje me aktet dhe faktet e çështjes. Është një tërheqje e pajustifikuar.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk po marrin qëndrim normal për të ndarë shapin nga sheqeri. Ata po presin një sinjal nga zgjedhja e kreut të ri të SPAK. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur të intervistojë katër kandidatët më 11 dhjetor dhe më 12 pritet të votojë për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme.

Pikërisht në këtë datë, në ditën kur zgjidhet kreu i ri i SPAK, Gjykata Kushtetuese ka lënë nisjen e shqyrtimit të kërkesës së Edi Ramës. Arsyeja e kësaj “rastësie” është e qartë. Anëtarët e Kushtetueses kërkojnë të shohin nga lëvizin ndërkombëtarët përpara se të marrin vendim. Një veprim që rrëzon çdo pretendim për autonomi dhe bindje të pavarur.

Anëtarët e trupës më të rëndësishme gjyqësore kanë mundësi të marrin një vendim që nuk thjeshton çështjen në raport SPAK–kryeministër. Ata mund të marrin një vendim gjithëpërfshirës që krijon një normë se si duhet të sillet drejtësia dhe qeveria në raste të tilla, duke interpretuar Kushtetutën. Kushtetuesja nuk ka rrugë tjetër sa i takon pezullimit të zv.kryeministres, sepse asnjë gjykatë nuk mund të largojë ose të emërojë institucione të tjera. Por mund të japë një interpretim që udhëzon qeverinë sesi duhet të sillet në raport me hetimet që kryen SPAK.

Duke kushtëzuar axhendën me zgjedhjen e kreut të SPAK, anëtarët e Kushtetueses kanë dorëzuar autonominë, pavarësinë dhe autoritetin e tyre./Pamfleti

 

gjyqtarët e kushtetueses zgjedhjet e reja në spak

1 Komente

  1. G
    Genci dhe Agimi

    Po o Pamfleti i Leshit.Gjykata nuk emeron e as shkarkon po pezullon hajdutet nga vjedhjet e metejshme. Pezullimi i Ballukut eshte plotesisht i ligjshem dhe me pas pritet pezullimi dhe arrestimi i Bablokut si kreu i grupit te strukturuar kriminal ne te pakten kater dosje.

    Lini një Përgjigje