
Festa e Pashkës ka bërë bashkë, Sali Berishën, Elisa Spiropalin dhe Lulzim Bashën në Katedrealen e Shën Palit në Tiranë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar besimtarët për festën e Pashkëve nga Katedralja e Shën Palit, teksa tha se kjo ditë simbolizon ringjalljen, përjetësinë dhe shpresën e pashuar.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se Pashkët janë një moment i rëndësishëm për të ripërtërirë besimin dhe shpresën për një të ardhme më të mirë.
“Sot festojmë ditën e ringjalljes së Krishtit mbret. Kjo ditë shënon ringjalljen, përjetësinë dhe shpresën e pashuar. Le të urojmë nga zemra që Pashkën tjetër ta kremtojmë siç na e do zemra dhe pa antikrishtin në trojet tona”, u shpreh Berisha.
Edhe kreu i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha ka folur ditën e sotme nga kisha e ‘Shën Palit’ në Tiranë. Basha uroi çdo besimtar të krishterë dhe theksoi se dita e festës le të jetë një reflektim për një ndryshim pozitiv.
"Sot është një ditë e veçantë, në radhë të parë për besimtarët e krishterë: katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë. Gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë i uroj nga zemra gëzuar Pashkët. Kjo ditë është simbol i ringjalljes, që ka kaq shumë domethënie për ju. Sjelltë paqe në familjet tuaja. Por, së dyti dhe po kaq e rëndësishme, uroj nga zemra që kjo ditë e shenjtë, ky kremtim i ringjalljes, të jetë një bekim për vendin tonë. Të jetë një reflektim se pas errësirës vjen shpresa, se ndryshimi pozitiv që të gjithë duam dhe meritojmë është i mundur", tha Basha.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përcolli një mesazh urimi për të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Pashkës.
Ajo tha se dita e sotme është një mesazh për të gjitha ata që duan të gjejnë tek kjo ditë forcën për të vazhduar përpara me më shumë mund, më shumë punë e dashuri për njëri tjetrin. Po ashtu, Spiropali kishte një mesazh edhe për politikën, e cila sipas saj duhet të shkojë përtej ndasive të vjetra dhe të punojnë më shumë për njerëzit.
“Ne kemi traditën e bukur që festat i ndajmë bashkë, të gjithë bëhemi bashkë për më shumë mesazhe shprese
Pashka është e bekuar sepse simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, e dritës mbi errësirën e dashurisë mbi urrejtjen. Është një mesazh për të gjitha ata që duan të gjejnë tek kjo ditë forcën për të vazhduar përpara me më shumë mund, më shumë punë e dashuri për njëri tjetrin. Por mbi të gjitha është një mesazh shpresë për të pamundurit, ata që Jezusi i donte më shumë. Për fëmijët, për të moshuarit, për të varfrit, për ata që duan të gjejnë tek kjo ditë e bukur shpresën për më mirë.
Është edhe një mesazh për politikën që të shkojë përtej ndasive të vjetra, përtej mesazheve që helmojnë dhe përçajnë dhe për të dhënë mesazhe shpresë. Vërtet kemi mendime të ndryshme, por duhet të punojmë më shumë për njerëzit dhe duhet të japim mesazhe që njerëzit i afrojnë me njëri tjetrin”, tha Spiropali nga Katedralja e Shën Palit.

Lini një Përgjigje