Në afro 1 muaj, Rama ka mbledhur 3 herë Asamblenë e PS. Çfarë e shqetëson kryeministrin?
Edi Rama duket se nuk po gjen derman. Pas dy mbledhjeve të njëpasnjëshme të Asamblesë së PS në shkurt, këtë të diel ka thirrur një mbledhje të tretë.
Në dallim nga dy të tjerat, këtë herë Rama ka vendosur që takimin ta mbajë në Gjirin e Lalëzit, në resortin e oligarkut Artan Dulaku. Rama shkoi deri në Spanjë për të promovuar biznesin e Dulakut dhe tani duket se ky i fundit do i qerasë me të ngrënë e të pirë pas Asamblesë. Interesant është se Gjiri i Lalëzit njihet dhe si "parajsa e të korruptuarve", pasi Asambleja do mblidhet pak metra larg vilave të Metës, Berishës dhe shumë të tjerëve.
Sipas axhendës, takimi nis në orën 11.00 me fjalën e Ramës. Më pas do flasë Blendi Klosi për zbatimin e detyrave të Asamblesë kombëtare të PS për rienerrgjizimin e partisë, korrigjimin e mangësive të evidentuara në organizatat socialiste dhe anëtarësimet e reja. Do të ketë raportime, diskutime nga anëtarët e AK për zbatimin e detyrave të ngarkuara. Do të miratohen projekt udhëzimit "Mbi zgjedhjet e përgjithshme në parti" dhe udhëzimi mbi "Kriteret përzgjedhëse të kandidatëve për delegatë të kongresit të partisë, bashkëkryetarët e OS dhe KS të NJA".

Por ajo që bie në sy është se në afro 1 muaj, Rama ka mbledhur 3 herë Asamblenë e PS. Mbledhja e parë u mbajt më 11 shkurt te “Xibraku”, ndërsa më 21 shkurt e mblodhi sërish Asamblenë, por këtë herë online. Të dielën do jetë takimi i radhës. Çfarë e shqetëson kryeministrin? Pse këto mbledhje kaq të shpeshta?
Ose Rama po mundohet të tregojë se ai vlerëson forumet e partisë dhe merr mendimet e të gjithëve, ose ka filluar të trembet. Rama po e vë theksin te anëtarësimet. Do të thotë se kryeministri nuk i ka më të sigurta votat që ka pasur. Patronazhistët në zgjedhjet e shkuara punuan fort dhe garantuan votat e atyre që kishin votuar 4 vite më parë, por sinjalet janë se shumë socialistë nuk janë më të bindur. Madje sipas burimeve, sondazhet brenda PS e kanë shqetësuar Ramën, pasi votuesit po largohen.
Historikisht PS, 600-700 mijë vota i ka pasur gjithmonë të sigurta, mirëpo këtë herë llogaritë si duket nuk po i dalin kryeministrit. Baza do të nisë punë që tani për të afruar anëtarë nga elektorati gri dhe partitë e tjera.
Po ashtu ajo që ngjall dyshime është se Rama ka nisur negociatat në prapaskenë me Berishën dhe në tavolinë janë reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi. Kur ata negociuan në 2008, e dimë se çfarë ndodhi. Të shohim se çfarë do të thotë Rama të dielën, por duket qartë se kryeministri nuk i ka mirë punët. /Pamfleti
Lini një Përgjigje