
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule është shprehur se në vizitën që ka pasur në Bruksel, kryeministrit Edi Rama i është dhënë një mesazh i qartë sa i përket rastit “Beleri”.
Dule tha se Rama e ka marrë mesazhin për masat që duhet të marrë menjëherë dhe për pasoja që do e shoqërojnë në rast të një mosreflektimi.
“Prania e Kryetarit të Komitetit të Asociimit dhe Stabilitetit të BE-së, Manolis Kefalogiannis ishte domethënëse, janë bërë të gjitha lëvizjet nga eurodeputetë në Parlamentin Europian, janë bërë të gjitha sugjerimet, i është thënë në të gjitha tonet e mundshme Ramës se kjo praktikë nuk është Europiane, se pengmarrja nuk do të tolerohet. Ramës i është thënë shumë qartësisht për masat që duhet të marrë menjëherë dhe për pasoja qw do e shoqërojnë një mosveprim i tillë”, tha Dule i ftuar në A2 CNN.
Dule e ka konsideruar arrestimin e Fredi Belerit, si një rrëmbim ose pengmarrje, sipas së cilit është bërë me qëllim të marrjes së Bashkisë së Himarës nga qeveria.
Ai shtoi se ndonëse kanë kaluar gati 2 muaj nga vënia në pranga e Belerit, ende sot nuk ka asnjë provë.
Pas kësaj, ai bën fajtor kryeministrin Edi Rama.
“Po afron 2 muaj që nga momenti i ndalimit, rrëmbimit dhe pengmarrjes së Belerit, dhe jemi në pritje të një fakti dhe një prove, ashtu siç u ndalua arbitrarisht, mbahet arbitrarisht, me qëllim përfundimtar, rrëmbimi i përfaqësimit në pozicionin e kryebashkiakut të komunitetit himarjot.
Po zgjat sepse një veprim arbitritrar i dirigjuar nga Rama, sigurisht që ndërlikohet sa më shumë kalohet koha dhe e vërteta del zbuluar në sy të faktorit të brendshëm dhe ndërkombëtar, vetë Rama e nisi këtë betejë”, tha Dule.
Lini një Përgjigje