Në përpjekje për të thirrur një mbledhje tjetër të Këshillit Kombëtar të PD, grupimi që kryesohet nga Gazment Bardhi nuk do të bëjë dallim mes anëtarëve të këtij organi, që prej muajsh kanë kaluar me Rithemelimin e Berishës.
Kështu shprehet deputeti Lefter Gështenja, i cili tregoi se ka nisur kontaktimi me të gjithë anëtarët që janë zgjedhur në vitin 2021, para se të niste përplasja e brendshme.
“Partia Demokratike ka një Këshill Kombëtar, lista e të cilit është e depozituar në gjykatë. Nuk mund të ndryshojmë listën e Këshillit Kombëtar, sa herë duhet. Është e përcaktuar se si zgjidhen dhe largohen anëtarët e Këshillit Kombëtar”, tha deputeti Lefter Gështenja për A2 CNN.
Ai nuk dha detaje për axhendën e kësaj mbledhje, as një datë se kur mund të thirret ajo, por foli për nevojën që ka Partia Demokratike për një proces real, të besueshëm dhe për një garë të barabartë, pasi atë mes Lulzim Bashës dhe Gergj Hanit nuk e quan të tillë.
“Duhet një frymë e re, një ekip i ri. Është thënë që ne nuk duam proces, por ne kemi kërkuar që procesi të vijojë dhe të ketë afate të tjera, duhet të krijojmë kushte të barabarta dhe një garë të barabartë. Jo me shpejtësi, sepse shpejtësia vret”, shtoi ai.
Sipas Gështenjës, problemi më i madh i Partisë Demokratike është në bazë dhe thotë se prej andej duhet të fillojë zgjidhja.
“PD problem më të madh e ka në bazë. Duhet të ulemi në bazë, duhet të kemi një analizë reale. Të gjejmë shkaqet dhe problemet, nuk duhet t’i tejkalojmë. Ky proces duhet të jetë tre mujor, që të gjithë të zbresin në terren dhe të takojnë demokratët. Të zgjedhim forumet e partisë nga poshtë lart, kështu krijohet një PD e fortë.”, bëri me dije deputeti.
Nëse grupi i Bashës nuk tërhiqet, a do të vijojë përplasja në gjykatë si në rastin e Berishës?
“Nuk do doja që zgjidhja finale të jetë gjykata dhe PD të bredhë në për dyert e gjykatave. Do duhet një mekanizëm më i lehtë. Nëse vijohet me rrugët gjyqësore kjo na përçan, duhet të ulemi të reflektojmë dhe të gjejmë zgjidhjen me të mirë”, tha ai.
Gështenja kërkon nga të gjithë grupimet në PD që të reflektojnë dhe të bëjnë një hap pas, pasi thotë se nëse vijohet kështu i fituar del Edi Rama.
Lini një Përgjigje