TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Janar 2025, 10:02

Edi Ramës s’po i ‘ndezin’ ministrat, kthen senatorët në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

 

Edi Ramës s’po i ‘ndezin’ ministrat, kthen senatorët
Pandeli Majko dhe Edi Rama /

Sondazhet tregojnë se situata për Bablokun nuk është aspak e mire…

Vendimi i papritur i Edi Ramës për të sjellë Pandeli Majkon nga Kukësi është marrë vetëm të shtunën në darkë.

Kur sondazhi i fundit i tregoi që tre ministrat e tij që ka sjellë në kryeqytet; Blendi Gonxhe, Dalina Ibrahimaj dhe Ogerta Manastirliu, janë renditur ndër kandidatët më pak të preferuar në qarkun e Tiranës.

Ndërkohë, që në Dibër, një sondazh theksonte se ministri aktual i Brendshëm që ka planifikuar Babloku për të drejtuar qarkun ishte thuajse i panjohur nga votuesit e majtë.

Burimet në PS, theksojnë se Rama ka vendosur me shpejtësi për të sjellë Pandeli Majkon në Tiranë në minutën e fundit dhe për ta zëvendësuar me Shalsin në qarkun Kukës.

Kukësin e kishte thuajse të salduar për Pandin, me logjikën që kryeministri i luftës së Kosovës është më adapti për t’u marrë me banorët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës, që të maksimalizonte votën. Në fakt, Majko, i cili shkoi si drejtues qarku në Kukës para zgjedhjeve vendore të 2023 ka arritur të fitojë 2 nga tre bashki atje, duke menaxhuar me qetësi edhe krizën e krijuar nga skandali seksual i Safet Gjicit.

Vendimi për kthimin në Tiranë ka qenë i minutës së fundit, pasi ministres Dalina Ibrahimaj, së cilës që prej 2023 i është ngarkuar zona më e madhe elektorale në Tiranë, njësia 5, po i rrëshqet çdo ditë e më shumë ‘toka nën këmbë’. Në një sondazh që ka bërë me shpejtësi kompania që PS ka pajtuar për zgjedhjet parlamentare, tregoi se Pandeli Majko ishte ende popullor ndër militantët e votuesit e së majtës. Ndaj Rama vendosi që të kryejë një lëvizje të fortë, edhe nga frika se baza e PS-së ka pësuar një zhgënjim nga mënyra sesi kryeministri po e trajton Partinë Socialiste të kryeqytetit.

Blendi Gonxhe, deri tani nuk ka arritur as të prekë bazën reale të PS-së në Kombinat dhe pjesën e Yzberishit, por ka takuar vetëm një togë të fortësh që janë në listën e axhendave e ministrave apo të marrë nga blloku i burrit të Olta Xhaçkës, që dikur e mbulonte atë zonë.

Manastirliu, e cila fiton në Tiranë prej disa zgjedhjesh dhe ka mbuluar njësinë 9, përkatësisht atë të Don Boskos, si drejtuese e sjellë nga Rama ka tentuar të hyjë edhe në territorin e organizatave të njësisë 7, por është pritur shumë keq.

Deri tani, koordinatorët e grupeve elektorale të punës vetëm zihen e shahen me njeri- tjetrin pasi ka mbivendosje e dublime thuajse në të gjitha zonat.

Në grupet Whatsapp të PS-së, ka vetëm nerva të tendosura dhe akuza të ndërsjellta. Edi Rama, duket ka sjellë Pandeli Majkon, edhe për të pajtuar gjakrat e nxehura në PS, si pasojë e mbivendosjes së drejtimit politik nga Edi Rama, me anë të ministrave të tij.

Ndërkaq, edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e ka pasur situatën pisk në Vorë, Rrogozhinë e Kavajë, ndërkohë që në Kamëz situate ka qenë më e mirë.

Këto ditë, pritet që vetë Edi Rama të zbresë në organizatat e Tiranës, ku ka planifikuar të zhvillojë edhe një takim të madh në pallatin e sportit në kompleksin ‘Dinamo’. Por para kësaj, i ka kërkuar Majkos që të negociojë me të gjithë ata militantë që janë të pakënaqur nga zgjedhjet e Bablokut. Pandi duhet të raportojë për rezultatet e ndërmjetësimit, maksimumi të mërkurën në mëngjes./Pamfleti

senatorë edi rama nuk i ndezin ministrat

Lini një Përgjigje