
Ulsi Manja ka reaguar menjëherë pas largimit nga posti i ministrit të Drejtësisë dhe emërimit të tij si kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvend. Në një deklaratë publike, ai e cilësoi këtë rikthim si “një kthim në shtëpinë time natyrale”, duke shtuar se mezi pret të nisë kapitullin e ri politik.
“Ka qenë nder dhe një shkollë jete të shërbeja si ministër, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, të cilit i jam mirënjohës për mbështetjen e pakursyer dhe besimin e dhënë në këto afro 17 vite të rrugëtimit tim politik në Partinë Socialiste”, u shpreh Manja, duke falënderuar stafin e ministrisë dhe bashkëpunëtorët.
Ai uroi gjithashtu pasardhësin e tij, Besfort Lamallarin, i cili mori detyrën e ministrit të Drejtësisë, duke u shprehur i bindur se do të vazhdojë punën e nisur. “Mezi pres të nis këtë kapitull të ri, për reformimin e kuadrit ligjor dhe për ta çuar Shqipërinë edhe më afër Bashkimit Europian”, theksoi Manja.
Ky lëvizim shënon një rotacion të rëndësishëm brenda Partisë Socialiste, ku Rama ka vendosur të ndryshojë balancat mes ekzekutivit dhe Kuvendit, duke i dhënë Manjës një rol kyç në drejtimin e procesit ligjvënës.
Postimi i plotë
Rikthim në shtëpinë time natyrale – Kuvendin e Shqipërisë, si Kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Sot, në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, hodhëm themelet e vizionit Shqipëria 2030 në Evropë. Për mua, ky është një moment i veçantë rikthimi në Kuvend, pas një periudhe të mrekullueshme në krye të Ministrisë së Drejtësisë.
Ka qenë nder dhe një shkollë jete të shërbeja si ministër, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, të cilit i jam mirënjohës për mbështetjen e pakursyer dhe besimin e dhënë në këto afro 17 vite të rrugëtimit tim politik në Partinë Socialiste. Faleminderit nga zemra të gjithë bashkëpunëtorëve të mi në ministri dhe institucionet e varësisë – ju jeni një aset i pazëvendësueshëm i shtetit shqiptar.
Një falënderim të veçantë dua të përcjell edhe për kolegët e mi ministra, me të cilët ndamë punën, sfidat dhe arritjet gjatë këtyre katër viteve. Fryma e skuadrës që ndërtuam bashkë u kurorëzua me sukses në rrugën e integrimit dhe në fitoren plebishitare të 11 majit.
Urime mikut tim, ministrit të ri Besfort Lamollari, i bindur se do të çojë përpara me përkushtim punën tonë të përbashkët.
Mezi pres të nis këtë kapitull të ri, për reformimin e kuadrit ligjor dhe për ta çuar Shqipërinë edhe më afër Bashkimit Europian.
Lini një Përgjigje