
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e plotë për çështjen e shkarkimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke i dhënë të drejtë kryebashkiakut dhe duke rrëzuar vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Presidentit të Republikës.
Në seancën plenare publike të datës 31 tetor 2025, Gjykata Kushtetuese, e kryesuar nga Holta Zaçaj shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga Veliaj. Me shumicë votash, Gjykata vendosi pranimin e kërkesës dhe shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke e cilësuar atë si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dekretin e Presidentit të Republikës, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore”, për pjesën që lidhet me Bashkinë Tiranë, duke konstatuar shkelje të neneve 115, pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës.
“Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili ka marrë për bazë vetëm faktin e mungesës tremujore në detyrë, nuk ka analizuar shkakun, rrethanat dhe as ndikimin e mungesës në ushtrimin e detyrës, duke mos vlerësuar nëse kjo situatë rridhte nga veprimet ose mosveprimet e vet kryetarit dhe nëse ajo mund të konsiderohej shkelje e rëndë e Kushtetutës ose e ligjeve.
Megjithatë, duhet vënë në dukje se është e mundur që mosparaqitja në detyrë për një periudhë të pandërprerë tremujore të përbëjë shkelje të rëndë në ushtrimin e detyrës nga kryetari i bashkisë, por gjithnjë kur ai mund dhe duhet të mbajë përgjegjësi, në ndryshim nga rasti konkret, ku kërkuesit nuk i atribuohet asnjë lloj përgjegjësie juridike. Në këtë rast shkelja e rëndë ka të bëjë me mospërmbushjen thelbësore të detyrës me vullnetin e tij, duke mbajtur në konsideratë se kryetari i bashkisë është organ ekzekutiv monokratik”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Lini një Përgjigje