Këshilli për Mandatin dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë do të mblidhet në datën 28 janar për të shqyrtuar kërkesën e SPAK lidhur me zv.Kryeministren Belinda Ballukun, njëherazi ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë.
Ndaj Ballukut SPAK ka nisur hetimet dhe i ka komunikuar akuzat, ndërsa fillimisht u kërkua pezullimi i saj nda detyrat qeveritare. Por vendimi i SPAK, i lënë në fuqi nga GJKKO-ja, u pezullua nga Gjykata Kushtetuese, e cila më 22 janar do të shqyrtojë në themel çështjen.
Pikërisht 6 ditë pasi Kushtetuesja të marrë në shqyrtim faktin nëse SPAK ka ose jo kompetencë për të pezulluar nga funksionet anëtarët e Këshillit të Ministrave, do të jetë Këshilli për Mandatet dhe Imunitetet që do të japë verdiktin nëse SPAK mund të vijojë ose jo masat ndaj zv.Kryeministres. Për Ballukun, SPAK ka nisur hetimet lidhur me tunelin e Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës.
Në mbledhjen e parë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e zhvilluar në 19 dhjetor, anëtarët e komisionit nuk arritën të nxirrnin një vendim lidhur me kërkesën e SPAK, ndërsa diskutimet u zhvilluan edhe me praninë e prokurorëve të çështjes dhe kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho.
Pas asaj mbledhjeje, procedura u ngadalësua teksa socialistët kërkuan kohë për shqyrtimin e materieleve të dosjes së paraqitur nga SPAK.
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një qëndrim të fortë kritik ndaj Prokurorit dhe gjyqtarit të GJKKO-së lidhur me rastin ndaj zv.Kryeministres Balluku.
“Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, në ditët e fundit, nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar ku gjykata më e lartë e vendit, duhet të gjykojë në themel çështjen e masës së pezullimit antidemokratik të një anëtari qeverie me kërkesë prokurorie.
E ngre këtë pyetje sepse në çdo vend, ku drejtësia nuk vrapon, po gjykon, ajo do të priste fundin e gjykimit për një masë, para se të kërkonte një masë tjetër, sepse shteti i të drejtës nuk është shesh as për karshillëk mes pushteteve të pavarura, as për përsheshin e një pushteti në territorin kushtetues të një pushteti tjetër.
Sot, nuk e kam përgjigjen, por do të vazhdoj të lexoj, do vazhdoj të mësoj dhe do të vazhdoj të bëj të gjithë përpjekjet e mia që të kuptoj sa më mirë nga analiza e thelluar e simptomave të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, e me siguri do ta kem në kohën e duhur edhe përgjigjen time për sa më lart.
Por në ndërkohë, sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që ne shumica qeverisëse dhe parlamentare e këtij vendi ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, të cilat edhe në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të “torturave”të Këshillit të Europës, edhe në dritën e shumëçkaje tjetër janë vërtetë për t’u marrë dhe për t’u gjykuar me shumë qetësi, por jo pa mbaruar njëherë me themel procesi që kemi hapur në Gjykatën Kushtetuese, për masën ekstreme, për masën antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit nga prokurorët që sikur s’kishte ndodhur dhe s’ka ndodhur asgjë erdhën me vrap të kërkojnë masa të tjera. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, deklaronte Rama.
Lini një Përgjigje