TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Korrik 2024, 09:40

Dosjet e bujshme nga SPAK me 'epiqendër' politikanët, Altin Dumani raporton sot në Kuvend

Shkruar nga Pamfleti
Dosjet e bujshme nga SPAK me 'epiqendër' politikanët, Altin
Altin Dumani

Sot deputetët rikthehen në Kuvend pas javës së gjelbër për të diskutuar jo vetëm çështjet e qytetarëve, por edhe për një seancë që në fokus të saj do të ketë institucionet më të rëndësishme të drejtësisë. Në axhendën e seancës plenare janë të përfshira raportimet e këtyre institucioneve, ndërsa të pranishëm do të jenë krerët e tyre.

Seanca do të nisë në 10:00 me raportimin e Olsian Çelës së Prokurorisë së Përgjithshme, kreut të SPAK Altin Dumanit ndërsa raportet vjetore do të paraqesin edhe ILD, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i prokurorisë.

Raportimi i tyre vjen në një kohë kur drejtësia ka në dorë disa dosje të bujshme dhe është vënë në epiqendër edhe të sulmeve politike.

Rreth një muaj më parë, Dumani publikoi raportin vjetor të institucionit në Komisionin e Ligjeve. Gjatë raportimit të tij, ai theksoi arrestimet e zyrtarëve të nivelit të lartë dhe përmendi magjistratët e shkarkuar nga vetting-u.

Dumani gjithashtu publikoi të dhënat për vitin 2023, duke deklaruar se janë sekuestruar pasuri me vlerë 41 milionë euro.

Sipas tij, SPAK ka pasur 237 të paraburgosur, që përbëjnë më pak se 9% të totalit të personave në paraburgim. Në fjalën e tij, Dumani shprehu shqetësimin për të ardhmen e prokurorëve të SPAK pas përfundimit të mandatit të tyre dhe i bëri thirrje Kuvendit për një përcaktim të qartë ligjor. Ai theksoi nevojën për burime njerëzore në Strukturën e Posaçme.

Dumani kërkoi bashkëpunim nga institucionet për të luftuar korrupsionin. Sa i përket Komisionit të Posaçëm që do të thërrasë në apel institucionet e vendit, Dumani theksoi rëndësinë e mbrojtjes së pavarësisë institucionale dhe respektimit të pushteteve.

altin dumani kuvend

Lini një Përgjigje