TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Korrik 2024, 21:15

Tirana "dorëzohet" përballë Athinës, Fredi Belerit i jepet leje të betohet si eurodeputet!

Shkruar nga Pamfleti
Tirana "dorëzohet" përballë Athinës, Fredi Belerit
Fredi Beleri

Zyrtare/ Drejtoria e Burgjeve ka miratur lejen për Fredi Belerin...

Pas shumë presionesh, kërcënimesh dhe akuzash, Tirana është dorëzuar përballë Athinës. Drejtoria e Burgjeve pas dy mbledhjesh, ka pranuar kërkesën e Fredi Belerit, duke i dhënë 5 ditë lejë që të betohet si eurodeputet.

Mediat greke e nxorrën që dje se Beleri ka marrë lejen, por Burgjet e përgënjeshtruan. Sot paradite pati një mbledhje që nuk prodhoi vendim. Mirëpo në mbledhjen e pasdites është vendosur që të aprovohet kërkesa e Belerit, duke hedhur një hap drejt qetësimit të raporteve me Athinën.

Sipas burimeve, atij i janë dhënë 5 ditë lejë, te cilat nisin nga e hëna në orën 10.00. Pas 5 ditësh, Beleri duhet të kthehet në qeli.

Në kërkesën e tij Beleri shprehej se aktualisht i kanë mbetur pa kryer 3 muaj e 14 ditë nga masa e dënimit të caktuar, pra ka kryer më shumë se 5/6  e masës së dënimit të caktuar. Gjithashtu thuhej se ka zbatuar rregulloren e brendshme të institucionit, ka qenë i motivuar për të marrë pjesë në programet rehabilituese si dhe ka kërkuar të kryejë punë sipas kushteve të IEVP-së.

Bazuar në nenin 72 të ligjit nr. 81/2020 "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve", kërkuesi plotëson kushtet për të përfituar leje shpërblyese deri në 20 ditë në vit, të drejtë të cilën nuk e ka ushtruar asnjëherë.

 Gjithashtu si anëtar i Parlamentit Europian, i gjykuari Dhionisios Alfred Beleri është njoftuar nga Parlamenti Europian se duhet të jetë i pranishëm në Sesionin që zhvillohet në Strasburg, Francë në datat 15-20 Korrik 2024.

Kërkuesi ka kryer më shumë se 5/6 e masës së dënimit të caktuar, sipas nenit 72/2 të ligjit nr. 81/2020, plotëson kushtet e nenit 72/1 të ligjit nr. 81/2020, nuk ka marrë asnjëherë leje shpërblyese, dhe duke qenë se bazuar në këtë nen, Ju, me cilësinë e drejtuesit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, keni kompetencën e shqyrtimit, Ju drejtohet me kërkesë për dhënien e Lejes Shperblyese, me kohëzgjatje deri në 7 ditë, me qëllim që të kryejë angazhimet e detyrueshme të tij me cilësine e Anëtarit të Parlamentit Europian, të marrjes pjesë në Asamblenë e Parlamentit Europian në Strasburg Francë nga datat 15-20 korrik 2020", thuhet në kërkesën e Fredi Belerit.

Mediat greke shkruajnë se Beleri do të fluturojë të hënën në mëngjes (15 korrik) për në Athinë dhe më pas do të shkojë në Strasburg, për të marrë detyrën si deputet i Parlamentit Evropian gjatë seancës hapëse plenare që do të mbahet më 16 korrik.

Pas arrestimit, ka pasur presione të forta nga Athina. Greket kërkuan disa herë që ai të betohej si kryetar bashkie i Himarës, por kjo nuk u pranua. Pas dënimit, Athina doli me kërkesë të re. Disa herë është kërkuar që ai të lejohet të betohet si eurodeputet dhe këtë herë Tirana ka vendosur të ndryshojë kurs. /Pamfleti

Lini një Përgjigje