
Kryeministri grek ka publikuar foton e Samitit të NATO që u mbajt në SHBA dhe ka zhdukur kryeministrin shqiptar...
Manovrat e Edi Ramës për të qetësuar ujërat me grekët, duket se nuk po japin efekt. Kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis duket se e ka futur në rreth të zi homologun shqiptar dhe raportet mes dy vendeve kanë prekur pikën më të ulët.
Rama ditët e fundit po tenton t’i bëjë qejfin Athinës, duke lejuar Fredi Belerin që të betohet si eurodeputet. Teksa Berisha po bën luftë të madhe për të shkuar në Parlament dhe nuk po merr dot leje, Beleri pritet të shkojë për 5 ditë në PE.
Por, edhe kjo manovër duket se nuk e ka kënaqur Athinën. Kjo, pasi Mitsotakis i ka dhënë një shuplakë të fortë Ramës. Kryeministri grek ka publikuar në Instagram foton e Samitit të NATO që u mbajt në SHBA dhe ka zhdukur kryeministrin shqiptar. Nëse shihen të dyja fotot, kemi një retushim dhe Rama nuk është. Pra, kryministri grek e ka prerë foton aty ku ndodhet homologu shqiptar. Kjo duket qartë te fotoja zyrtare e NATO.

Ndërkohë, mediat greke shkruanin sot se leja për Belerin u arrit përmes presionit që Greqia i ka bërë Tiranës gjatë samitit.
“Bashkëpunëtorët e kryeministrit thanë se pas Këshillit të fundit Evropian, Mitsotakis kishte deklaruar optimizmin e tij se Belerit në fund do t'i jepej leja për të bërë betimin. Sipas të njëjtit informacion, proceset për dhënien e lejes janë intensifikuar ditët e fundit, ndërkohë që ky zhvillim duket se është vulosur në një takim të shkurtër të zhvilluar në margjinat e Samitit të NATO-s nga Ministri i Punëve të Jashtme, Giorgos Gerapetritis me homologun shqiptar, Igli Hassani, i cili me sa duket kishte autorizim politik nga Edi Rama”, shkruanin mediat greke. /Pamfleti
Lini një Përgjigje