Ne jemi pjesë e Europës; gjeografikisht, ekonomikisht, historikisht dhe nuk mund të largohemi në ndonjë kontinent tjetër...
Pamfleti: Zoti Ambasador ju vini në Tiranë, pas një karriere në rangjet e larta të diplomacisë serbe. A e tregon ky emërim rëndësinë që Beogradi i jep marrëdhënieve me Tiranën?
Sh.T Sllobodan Vukčeviç: Duke patur parasysh faktin që Republika e Serbisë i jep rëndësi të madhe marrëdhënieve bilaterale me vendet fqinje, nuk ka se si të jetë ndryshe edhe me Republikën e Shqipërisë. Republika e Serbisë i kondsideron marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë shumë të rëndësishme si për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, ashtu edhe për prosperitetin ekonomik për çka po punojmë intesivisht.
Beogradi është i përkushtuar për të ruajtur nivelin e arritur të marrëdhënieve me Tiranën si dhe për përmirësimin e tyre në formë dhe në përmbajtje që korrespondojnë me interesat reciproke të të dyja palëve.
Oferta të përfaqësoj Republikën e Serbisë në Tiranë, përfaqëson së pari një nder të madh, përgjegjësi si dhe një sfidë profesionale të cilën nuk mund që ta humbisja. Jam i bindur se kjo do të sjellë edhe një ndryshim cilësor në karrierën time diplomatike.
Pamfleti: Serbia e Presidentit Vučić dhe Shqipëria e Edi Rama krijuan një traditë të një marrëdhënieje intensive, por ka dy vite që ky intensitet ka rënë. Çfarë po ndodh mes dy vendeve?
Sh.T Sllobodan Vukčeviç: Presidenti Aleksandar Vučić, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri Zoran Zaev kanë vlerësuar drejt në vitin 2019, në Novi Sad, që janë të nevojshme marrëdhëniet e ndërsjellta cilësore. Në procesin, relativisht të ngadaltë të integrimit në BE, i cili përfaqëson për Republikën e Serbisë një nga prioritetet në politikës e jashtme, liderët tanë e kanë vlerësuar që rajonit i duhet zhvillim i përshpejtuar, të cilin së bashku do e përcaktojmë. Ky zhvillim është vlerësuar si parësor për vetë ne, përkundrejt përmbushjes së disa kushteve të vendosura nga jashtë.
Nisma ‘Mini Shengen’, e emërtuar më vonë si ‘Ballkani i Hapur’, ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin tonë ekonomik, por edhe në marrëdhëniet politike. Respekti i ndërsjelltë dhe besimi i vendosur është një avantazh krahasues në raport me fqinjët, të cilët ishin të dyshimtë dhe për fat të keq nuk ju bashkuan nismës, megjithëse patën ftesë të hapur.
Lidhja e vendeve të rajonit, zgjidhja e çështjeve si dhe një bashkëpunim më i mirë në të gjitha fushat me inters të përbashkët, ishte një ndërmarrje politike e nevojshme, si një parakusht për anëtarësimin e plotë në të ardhmen në BE, që ne të gjithë aspirojmë.
Nisma e Balkanit të Hapur, përfaqëson simulimin e marrëdhënieve në BE dhe përgatitjen e duhur për të ardhmen. Si e tillë përfaqëson një platformë krejtësisht të re, mbi të cilën ndërtuam marrëdhënie respekti reciprok, besimi si dhe zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, që në të kaluarën ishin lënë pas dore.
Në këtë rrugë nuk është e parëndësishme të përmendet, që janë vendosur marrëdhënie personale të liderëve tanë, dhe kjo kontribuoi ndjeshëm në arritjen e rezultateve ekonomike, jo edhe aq të papërfillshme. Si rezultat i bashkëpunimit në kuadër të Nismës të Ballkanit të Hapur, rajoni ynë është formatuar përmes katër lirive të BE-së; lëvizja e njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, në një masë që nuk ishte regjistruar më parë në historinë e re të marrëdhënieve tona.
Në fund nuk bie dakort me vlerësimin tuaj që intensiteti i marrëdhënieve tona ka rënë. Do të thoja se po punohet në zhvillimin e mëtejshëm gradual, me dinamika që i korrespondon interesave individuale dhe të përbashkëta.
Pamfleti: Siç dihet, Kosova ndodhet në mes të një relacioni të vështirë mes dy vendeve ku secili ka qëndrimet e veta tashmë. Po a mundet që përpos kësaj papajtueshmërie ka hapësira për të vijuar një relacion jo stanjativ?
Sh.T Sllobodan Vukčeviç: Republika e Serbisë nuk dëshiron dhe nuk ka interes të angazhohet në imponimin e qëndrimeve të veta ndaj vendeve sovrane, si dhe të ndërhyjë në marrëdhëniet e tyre të brendshme politike.
Nga fqinjët, vendet mike dhe partnere, Serbia kërkon vlerësim dhe respekt reciprok, respekt të integritetit territorial. Kjo qendron në bazë të marrëdhënieve tona me vende të tjera sovrane nga të cilat presim trajtim të njëjtë në rikthim. Pozicioni ynë, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Metohinë është diametralisht i kundërt në raport me pozicionin e Shqipërisë.
Gjykojmë që kjo gj nuk duhet të rëndojë në marrëdhëniet tona. Ju e dini se shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe Metohisë, Republika e Serbisë nuk e pranon. Statusi aktual i krahinës tonë jugore, është regulluar me dokumenea ndërkombëtare, para së gjithash me Rezolutën e KS të OKB, 1244.
Beogradi është në proces negociatash me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të BE-së, me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Kosovës, për marrëdhëniet tona të ardhshme. Negociatat janë të vështira dhe sipas vlerësimit tonë dhe jo vetëm tonin, me përfaqësuesit aktual të Prishtinës, të cilët nuk janë të gatshëm për asnjë kompromis, përveç njohjes pa kushte nga ana jonë. Një qëndrim i tillë për palën tonë nuk është e pranueshme. Për të lëvizur nga pikat e vdekura, në të cilat jemi prej kohësh, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Kosovës duhet të fillojnë të përmbushin detyrimet e tyre, dhe ajo që kërkohet mbi të gjitha; të formojnë Bashkësinë e Komunave Serbe.
Pamfleti: Cilat janë, sipas jush zoti Ambasador, hapësirat e të një relacioni efektiv mes Serbisë dhe Shqipërisë ?
Sh.T Sllobodan Vukčeviç: Hapësira për zhvillimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shqipërisë ka shumë. Kemi filluar me zhvillimin në ekonomi, ku Serbia ka sufiçit në shkëmbimin e mallrave me Shqipërinë, dhe ajo që është e re, në raport me periudhën kur RSFJ e atëhershme ka importuar energji nga Shqipëria dhe në shkëmbimin e mallrave shënoi defiçit. Interesi ynë është që shkëmbimi i ndërsjelltë i mallrave të balancohet.
Së bashku Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, në Beograd, në nëntor të 2024 do të organizojnë panairin më të madh të verës dhe rakisë, në këtë rajon të Europës, Vine Vision by Open Balkan, i cili për herë të tretë do të mbledhë blerës të mëdhenj nga Europa dhe bota.
Gjithashtu jemi të interesuar të zgjerojmë praninë ekonomike në Shqipëri duke investuar në punë fitimprurëse. Serbia është e gatshme të zhvillojë marrëdhënie në të gjitha fushat tek të cilat ka interes i përbashkët, duke përfshirë shkëmbimin e eksperiencave dhe përdorimin e teknologjive të reja në bujqësi si dhe në aktivitetet e tjera prodhuese.
Ekonomia serbe përbën rreth 60% të ekonomisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, afërsisht kaq tërhoqi dhe investime të huaja direkt. Me shpejtësi po zhvillohen teknologjia e informacionit, ndërtimi i infrastrukturës, rrugët dhe hekurudhat me shpejtësi të lartë.
Në Beograd në 2027 mbahet një EXPO e specializuar që është një rast i mirë për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, për zhvillimin ekonomik të përshpejtuar.
Pamfleti: Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë një komunitet që kërkon gjithnjë e më shumë të drejta në kuadër të Republikës së Serbisë, kryesisht në fushën e arsimit në gjuhën amëtare, apo edhe të integrimit ekonomik. Sa mund të bëjë Serbia më shumë për këtë komunitet që ta ndjejë veten i barabartë me qytetarët e tjerë në vend?
Sh.T Sllobodan Vukčeviç: Pakica shqiptare e cila jeton në Republikën e Serbisë, gëzon të gjitha të drejtat si secila prej më shumë se 20 pakicave kombëtare të njohura. Nuk bëjnë dallim, pavarësisht nga numri i anëtarëve të saj. E drejta e pakicave kombëtare është e përcaktuar me ligje dhe akte nënligjore përkatëse, të cilat sipas të gjithave vlerësimeve dhe raporteve të institucioneve ndërkombëtare, përfaqësojnë një shkallë të lartë mbrojtjeje.
Shqiptarët etnikë, të cilët jetojnë në terrioret e Komunave Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë janë qytetarë të Republikës së Serbisë me të gjitha të drejtat dhe detyrimet përkatëse. Zhvillimi i balancuar rajonal është një prioritet i Qeverisë së Republikës së Serbisë. Sjellja e investitorëve të huaj në jug të Serbisë, në komunat më pak të zhvilluara, është detyrë e përditshme e të gjitha institucioneve kopetente. Qeveria e Republikës së Serbisë punon shumë në të gjitha fushat se si të gjithë qytetarët tanë dhe kjo do të thotë edhe pakica kombëtare shqiptare, të ndihen të barabartë dhe në shtëpinë e tyre. Përfaqësimi politik në nivelin lokal dhe qëndror është në përputhje me standartet më të larta evropiane.
Pamfleti: Serbët dhe shqiptarët janë dy popujt më të mëdhenj në Ballkan, të cilët kanë përplasje të madhe historike, por dhe orientime të ndryshme gjeopolitike. Ju si e shikoni të ardhmen e kësaj bashkëjetese në këtë rajon të trazuar?
Sh.T Sllobodan Vukčeviç: Nuk jam dakort me konstantimin tuaj që Serbia dhe Shqipëria kanë orientime të ndryshme gjeopolitike. Për Serbinë jam i sigurtë, por mendoj që nuk gaboj edhe për Shqipërinë, se të ardhmen tonë të përbashkët e kemi me anëtarësim të plotë në BE. Ne jemi pjesë e Europës, gjeografikisht, ekonomikisht, historikisht dhe nuk mundemi të largohemi në ndonjë kontinent tjetër. E vetmja gjë që ende i mungon europianizmit tonë, është të bëhemi pjesë e administratës evropiane, që besoj se shumë shpejt do jemi, pas përmbushjes së disa kritereve në një kohë të parashikueshme.
Pamfleti: Për herë të parë, Serbia është ftuar në kuadër të samitit të NATO-s në Uashington, për të marrë pjesë në margjinat e samitit. Beogradi thotë që është neutral, por marrëdhënie më të afërt ka me Rusinë dhe Kinën. Pra nuk është i paangazhuar si Jugosllavia e Titos...
Sh.T Sllobodan Vukčeviç: Më duhet që t’ju korrigjoj; kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të lartë nga Republika e Serbisë marrin pjesë në samitin e NATO, por sigurisht që është një nga pjesëmarrjet më të rëndësishme duke patur parasysh rrethanat gjeopolitike dhe sfidat e sigurisë me të cilat po përballemi momentalisht në Europë dhe më gjërë.
Republika e Serbisë, ndryshe nga shumica e vendeve në rajon, si pjesë e ish-Federatës (Jugosllavia e Titos) edhe pse themelimi i Jugosllavisë, të cilën Tito e trashëgoi lidhet me Mbretin Aleksandar Karađorđević dhe tani si shtet i pavarur, nuk ka qënë asnjëherë anëtare as e lindjes dhe as blokut ushtarak perëndimor.
Po ka qënë Mbretëria e Serbisë në vitin 1912, anëtare e Këshillit Ballkanik ( Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, dhe Greqia), por kjo është e kaluar e largët për situatën e sotme.
Marrëdhëniet me aleancën e Nato-s i mbajmë në formën që i përgjigjet interesave tona dhe kjo nëpërmjet partneritetit për paqe. Neutraliteti ushtarak është shpallur në Kuvendin Popullor të Serbisë, në dhjetor të vitit 2007 dhe me xhelozi do e ruajmë këtë, duke zhvilluar industrinë tonë dhe kapacitetet ushtarake, të cilat kanë për qëllim parandalimin dhe mbrojtjen kundër sulmit të mundshëm.
Qëllimi ynë është të jetojmë në paqe me fqinjët tanë, dhe të moslejojmë përsëritjen e ngjarjeve të fund viteve 90-të, të shekullit të kaluar.
Republika e Serbisë kujdeset me shekuj për marrëdhëniet miqësore të gjata me Federatën Ruse si dhe miqësinë e çeliktë me Republikën Popullore të Kinës, që në përmbajtje dhe në formë janë interes i ndërsjelltë.
Pamfleti: Si e gjeni veten ju dhe familja juaj në Tiranë, dhe cilat janë impresionet për Shqipërinë? Çfarë mund të bëni ju për të afruar ose zbutur këtë relacion problematik mes shqiptarëve dhe serbëve?
Sh.T Sllobodan Vukčeviç: Familja ime nuk banon vazhdimisht në Tiranë, por rregullisht më vizitojnë. Përshtypjet për Shqipërinë janë shumë pozitive. Në një periudhë e shkurtër, që nga ardhja ime në shtator 2021 dhe deri më sot, ka ndryshime të dukshme për mirë, para së gjithash në zhvillim të infrastrukturës si dhe funksionimi i qytetit në përgjithësi. Shqiptarët janë shumë mikëpritës dhe kemi vetëm emocione pozitive nga takimet e përditshme.
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, nuk do t’i quaja problematike. Jetesa e përbashkët për shekuj me rradhë në këtë pjesë të kontinentit Evropian, ka patur pasoja, që i mendoj para së gjithash për shkak të marrëdhënieve gjeopolitike në të cilat nuk e kemi të mundur të ndikojmë, afrimin dhe largimin në marrëdhëniet tona. Meqënëse nuk mundemi të ndryshojmë të kaluarën, detyra jonë është që të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë, që të ardhmen ta bëjmë më të bukur, më të sigurt, dhe më të pasur për gjeneratat që vijnë pas nesh. Unë relativisht, për sa kohë të jem në Shqipëri, do të bëj gjithçka për të kontribuar për të.
Ju Faleminderit Zoti Ambasador
Lini një Përgjigje