
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se Rama duhet të sqaronte pse vëllai i tij lëvizte me makinat e trafikantëve dhe çfarë lidhje kishte me ta. Ai akuzoi Ramën se po i fshihet të vërtetës.
“Dosja është me dokumente nga Prokuroria dhe Gjykata”, tha Bardhi, lidhur me dokumentet që disponon lidhur me Xibrakën. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se dosja nuk ishte mbyllur, Prokuroria e kishte veçuar, për të identifikuar bashkëpunëtorët e paidentifikuar.
“E rëndësishme është që kjo çështje vijon të jetë e hapur. Dosja është pezulluar që në 2018, ka zënë pluhur, dhe po të shikosh një nga prokurorët është votuar vetëm nga mazhoranca e Edi Ramës në pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa tjetri pasi u emërua në SPAK, e dimë të gjithë luftën e Edi Ramës që donte ta vinte në krye të Prokurorisë Speciale”, tha Bardhi për “SyriTV”.
Ai tha se tre nga katër personat që përdornin automjetet janë identifikuar, ndërsa personi i katërt që është përdorues është Olsi Rama. Bardhi tha se i takon Prokurorisë që të verifikojë përgjimet, raportet e policisë, atyre të vëzhgimit, për të provuar fajësinë e personit.
Lini një Përgjigje