
Kryetari i Koalicionit Nisma Shqipëria bëhet, Adriatik Lapaj tha se koalicioni që ai drejton do ta çajë sistemin. Ai tha se ‘Nisma- Shqipëria bëhet’ do të ketë rezultat befasues më 11 maj. Sipas tij koalicioni që drejton do të marrë aq mandate, sa të kushtëzojë qeverinë.
“Ne do ta çajmë sistemin, për këtë jam i bindur. Do kemi rezultat befasues më 11 maj. Ne duam të marrim aq mandate, sa PS mos ta bëjë dot qeverinë dhe të kushtëzojmë një qeverisje me profesorë e intelektualë dhe më pas përgatisim vendin për një qeveri normale. Do të marrim aq mandate, sa të kushtëzojmë qeverinë.
Fushatën e PD e shoh normale, por fushatën e Ramës e shoh tallje ndaj qytetarëve dhe bullizuese. Po bën fushatë vetëm me gratë, kjo nuk është normale. Nuk mund të tallesh me qytetarët, e shoh tepër të gabuar. Qeveria e Ramës ka bërë që së paku 800 mijë shqiptarë të ikin nga vendi. Rama nuk ka program dhe merret me tallava. Lufta ime është me Ramën”, tha Lapaj.
Më tej, Lapaj vlerësoi se ‘Nisma Shqipëria bëhet synon’ që të marrë në total 300 mijë vota në këto zgjedhje.
“Koalicioni ynë ‘Nisma-Shqipëria bëhet’ po ecën shumë mirë. Jam i lumtur për ekipin që kam. Ne synojmë të marrim 300 mijë vota, sepse dhe sloganin e kemi “300 mijë në kuti”. Neve na mbështesin të rinjtë. Ne besojmë se do të kemi mbështetje të madhe në diasporë. Do vijë një kohë që shumë shqiptarë do të kthehen, ata do të kthehen nëse vendi demokratizohet dhe ka shërbime efikase.
Mbylljen finale të fushatës do ta bëjmë në Kukës, për t’i dhënë respekt këtij qarku. Në disa zona blihet vota. Ne i bëjmë thirrje çdo qytetari, që çdo njeri që e kërcënon apo e dhunon për votën, të denoncojë. Fleta e votimit nuk ka numër serial, prandaj administrata mund të na votojë pa frikë”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje