
Nga një takim elektoral në qytetin e Pogradecit, Agron Shehaj ka deklaruar se sondazhet e nxjerrin Partinë Mundësia, forcë të tretë politike që sipas tij, do të hyjë në Parlamentin e ardhshëm për herë të parë duke i pasur kundër Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste.
Kreu i Mundësia, u shpreh se rezultatet e sondazheve kanë trembur mazhorancën por edhe opozitën, të cilat sipas Shehajt sulmojnë këtë parti të re sepse kanë parë që shqiptarët kanë një alternativë të re dhe të besueshme në zgjedhjet e 11 Majit.
“Unë ju garantoj që në zgjedhjet e ardhshme ne do jemi e para forcë politike që do hyjmë në Parlament duke i pasur të dyja partitë e mëdha kundër. Kur e shohin që dalin sondazhe që tregojnë të vërtetën, që ne jemi qartësisht partia e tretë janë trembur, më të tremburit janë në opozitë se po shikojnë që nuk janë e vetmja alternativë. Sa herë na sulmojnë duhet të kuptojmë që jemi në rrugën e duhur”, tha ai.
Shehaj theksoi se Partia Mundësia dallon si nata me ditën me partitë e vjetra politike.
“Po na sulmojnë sepse qytetarët sot kanë një alternativë, që dallon si nata me ditën me alternativat që kam parë në këto 34 vjet”.
Në një porosi të drejtpërdrejtë për mbështetësit e Partisë Mundësia, Shehaj theksoi se sulmet nuk duhet t’i stepin dhe t’i ndalin, pasi ndryshimi që shqiptarët kërkojnë dhe presin, nuk mund të vijë vetë, por tek vota për një parti të re dhe të besueshme.
“Po flasin për ne, i kanë sytë nga ne shohin të ardhmen tek ne, por duhet ti bindim se qytetarët shqiptarë janë të zhgënjyer dhe kanë nevojë për një forcë politike të re, tek e cila të kenë besim. Ne nuk duhet të lodhemi e dorëzohemi. Rezultati varet nga ne”, tha Shehaj.
Lini një Përgjigje