TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Qershor 2026, 17:00

Debati për Zvërnecin, Braçe: Mes protestuesve edhe socialistë, por s'kemi luksin të humbasim një projekt të tillë

Shkruar nga Pamfleti
Debati për Zvërnecin, Braçe: Mes protestuesve edhe
Erion Braçe

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas protestës së zhvilluar para Kryeministrisë kundër projektit turistik në Zvërnec, duke theksuar se mes protestuesve kishte edhe socialistë që ndihen të lënë jashtë proceseve vendimmarrëse.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe tha se protesta mblodhi qytetarë të zakonshëm, mbrojtës të natyrës dhe persona të shqetësuar për interesin publik, të cilët duhen dëgjuar dhe respektuar.

Deputeti socialist bëri dallimin mes qytetarëve që shprehin shqetësime legjitime dhe atyre që, sipas tij, përdorin kauza të tilla për përfitime politike apo për përhapjen e dezinformimit.

Braçe zbuloi se në protestë kishte edhe mbështetës të Partisë Socialiste, të cilët i ka njohur personalisht gjatë angazhimeve të tij në terren. Ai theksoi se qeveria duhet të dialogojë me njerëzit që i kanë besuar votën dhe jo t’i përjashtojë nga proceset e rëndësishme vendimmarrëse.

“Kishte edhe socialistë aty, i pashë vetë, i kam njohur në rrugët e këtij qyteti në këta muaj. Duhet të qeverisim me ta, jo pa ta. Njerëzit që na kanë votuar. Socialistë, të majtë, qytetarë të thjeshtë pa bindje politike por me besim tek ne, kanë deleguar fuqinë e tyre me votë tek ne", shkruan Braçe, duke shtuar se qytetarët duhet të informohen, të pyesin, të dëgjohen dhe të përfshihen në diskutimet për projekte me ndikim të madh publik.

Megjithatë, deputeti socialist shprehu bindjen se Shqipëria nuk duhet të humbasë një projekt të tillë zhvillimi. Sipas tij, ende ka kohë për të gjetur një ekuilibër mes interesave të mbrojtjes së natyrës, të drejtave të pronarëve të ligjshëm dhe përfitimeve ekonomike që mund të sjellë investimi.

“Shqipëria nuk ka luksin të humbë një projekt të tillë, humbja jonë do të jetë luksi i atyre që nuk duan t’i konkurojmë. Unë mendoj që jemi në kohë. Ende nuk ka një leje ndërtimi të miratuar, të vendosim në ekuilibër këto interesa e të fitojmë një projekt të mirë e në të mirë të të gjithëve, në të mirë të Shqipërisë”, shprehet ai.

Braçe argumentoi se projekti mund të krijojë vende pune, të rrisë të ardhurat dhe të gjenerojë zhvillim ekonomik për komunitetin dhe vendin në tërësi, duke e cilësuar atë si pjesë të një ekonomie të gjelbër dhe gjithëpërfshirëse.

Postimi i plotë i Erion Braçes:

PROTESTA – njerëzit e saj, QEVERISJA – me ta,

PROJEKTI – nuk duhet ta humbim!

Disa fjalë për njerëzit, socialistët gjithashtu.

PROTESTA KISHTE NJERËZ – qytetarë të thjeshtë, të zakonshëm, shumë të tillë që kishin lënë angazhimet e tyre për të na thënë me zë dhe publikisht mendimin e tyre, atë që ata kundërshtojnë. Me ta kishte edhe natyrëdashës, natyralistë, quajini si të doni, por thelbi i tyre është natyra, energjia e mirë e natyrës, të mirat që vijnë prej saj sot e në afat të gjatë për fëmijët sot e të ardhmen;

DUHET TË MËSOHEMI ME TË GJITHË KËTA, JANË SI NE DHE DUAN TË MIRËN PUBLIKE!

Patjetër duhet të refuzohen abuzuesit e përfituesit politikë, urrejtësit politikë, teknofashistët dixhitalë nga e djathta në të majtë – sharës, fyes, shpifës, kërcënues, trendi më i ri banal i politikës; me ta edhe dizinformuesit dhe, në fund të tyre, rrugaçët që bërtasin pa turp nga robt' e tyre kore që shajnë robt' e të tjerëve, në fakt të të gjithëve – të gjithë bashkë shumë më pak.

Kishte edhe SOCIALISTË aty, i pashë vetë, i kam njohur në rrugët e këtij qyteti në këta muaj!

DUHET TË QEVERISIM ME TA – njerëzit që na kanë votuar. Socialistë, të majtë, qytetarë të thjeshtë pa bindje politike, por me besim te ne, kanë deleguar fuqinë e tyre ME VOTË te ne, na kanë dhënë mundësinë të qeverisim;

TË QEVERISIM ME TA, JO PA TA, PËR TA DHE ME TA!

Ata po na flasin përballë, ndihen të lënë mënjanë, të përjashtuar nga procese vendimmarrëse.

Ata duhet të dinë, të jenë të informuar, të kenë mundësi të pyesin, të marrin përgjigje, të flasin, të dëgjohen, të diskutojnë e debatojnë, të kritikojnë, të kundërshtojnë, të miratojnë një vendimmarrje të plotë e të qëndrueshme; kjo nuk pengon, GARANTON!

SHQIPËRIA NUK KA LUKSIN TË HUMBË NJË PROJEKT TË TILLË – humbja jonë do të jetë luksi i atyre që nuk duan t'u konkurrojmë; ndaj unë insistoj te njohja e INTERESAVE LEGJITIME të natyralistëve, që janë edhe arsyeja pse ai projekt vjen këtu; INTERESAVE LEGJITIME të pronarëve të ligjshëm, atyre që nuk e kanë fituar pronën e njohur si fond pyjor duke e falsifikuar si tokë bujqësore dhe në emër të një minoriteti apo me vendime abuzive të gjyqtarëve të korruptuar; INTERESAVE LEGJITIME të të gjithë atyre që duan të përfitojnë nga EKONOMIA;

UNË MENDOJ QË JEMI NË KOHË – ende nuk ka një leje ndërtimi të miratuar – TË VENDOSIM NË EKUILIBËR KËTO INTERESA E TË FITOJMË NJË PROJEKT TË MIRË E NË TË MIRË TË TË GJITHËVE, NË TË MIRË TË SHQIPËRISË!

Fitorja është gjithnjë më e mirë se humbja, do të jetë e të gjithëve, siç humbja do të jetë e të gjithëve; është një ekonomi e tërë pas atij projekti, njerëz që punësohen, të ardhura që shtohen, prodhues që shtohen e zgjerohen, ofrues shërbimesh që zgjerohen po ashtu; mijëra njerëz në këtë zinxhir ekonomik!

QUHET EKONOMI E GJELBËR DHE KËSHTU, E GJERË E PËRFSHIRËSE, E BËN MË DEMOKRATIKE EKONOMINË.

 

2 Komente

  1. h
    htu

    Luksi i kujt???? jo i popullit por i yti dhe i oligarkeve qe mbron ti dhe kerma qe te komandon..

    1. s
      studio

      O I PAFYTYRE I KENI FUTUR JU DHE DO I URDHERONI PER TE MINUAR PROTESTEN ...POR NUK DO JA DILNI....SOCIALISTET E VARFER JANE JASH JUSH PIKERISHT SE JU JENI TE BABEZITUR DHE I KENI LENE FUKARENJ ....HAROJENI QE KJO PJESE TE GENJEHET PRAP DHE TJU VOTOJE.....vetem nese jane armiqte e vetvetes....ju i keni zhgenjyer dhe po i terhiqni ne varr....me nje ndryshim thlbesor midish jush.... ju pasanike ata votues budallenj....

      Lini një Përgjigje