Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Europian, dhe Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference të përbashkët për mediat, vlerësuan progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Costa tha se Shqipëria i ka përmbushur piketat e ndërmjetme për grupkapitullin e parë të çështjeve themelore, ndërsa shtoi se tashmë ka hyrë në një fazë vendimtare të negociatave. Por Presidenti i Këshillit Europian vuri theksin në ato që i konsideroi si piketat kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ku renditi si të panegociueshme luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimin e institucioneve demokratike.
“Përgëzoj vendosmërinë e Shqipërisë për tu bërë pjesë e BE dhe kjo në veçanti rolit të tuaj Edi dhe angazhimit tuaj personal në këtë proces. Javën e shkuar, ne pamë ecurinë e Shqipërisë dhe i ka përmbushur piketat e ndërmjetme për grupkapitullin e parë të çështjeve themelore.
Shtetet anëtare kanë kuptuar dhe kanë vlerësuar angazhimin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE. Ky është fillimi i një faze impenjative. Këto reforma, më shumë se sa kushte, janë zgjedhje nga ana juaj për të ndërtuar institucione të forta demokratike, angazhim për ruajtjen e një pushteti gjyqësor të pavarur, janë themelore.
Përshpejtoni luftën kundër krimit dhe korrupsionit. BE është partneri më i besueshëm, është investuesi kryesor dhe partneri më i rëndësishëm tregtar. Zgjerimi është domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën, investim tek paqja dhe stabiliteti.
Me kërshëri prej të ritakohemi shumë shpejt në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, i cili do të mbahet të premten. Samiti do jetë shenjë e qartë e vendosmërisë për ta çuar më tej bashkëpunimin tonë dhe për të ecur më tej”, tha Costa.
Në vijim ai ka kërkuar nga Shqipëria që të vijojë me të njëjtin ritëm reformat dhe zbatimin e tyre, për të përmbyllur me sukses procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Në anën tjetër, Kryeministri Rama vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Costës për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një prej mbështetësve më të rëndësishëm të avancimit të vendit drejt BE-së.
“Dua ta falënderoj Antonion posaçërisht për angazhimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e palodhur, edhe përpara se ne të realizonim praktikisht mbylljen e fazës së parë dhe hapjen e fazës së mbylljes”, tha Rama.
Ai theksoi se reformat dhe detyrimet që rrjedhin nga procesi i negociatave nuk po zbatohen për hir të Brukselit, por për forcimin e shtetit dhe institucioneve shqiptare.
“Ne kemi detyra për të përmbushur, jo për hir të Brukselit, por për hir të përmirësimit të performancës së shtetit, institucioneve dhe pushteteve të pavarura në Shqipëri”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, sfida kryesore në këtë fazë mbetet zbatimi i reformave dhe i legjislacionit të miratuar, ndërsa vuri në dukje se Shqipëria dhe Bashkimi Europian ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen e procesit të integrimit.
“Jemi në dakordësi për sa i përket detyrave që duhet të bëjmë, për domosdoshmërinë që të ecim me këtë ritëm dhe të vijmë në mbylljen e negociatave. S’kemi asnjë shqetësim që na ndan, por vetëm shqetësime që na bashkojnë”, deklaroi Rama.
Lini një Përgjigje