
Emisioni “Të Pashoq” rikthehet mbrëmjen e sotme në kanalin e “Pamfletit” në YouTube. Pas një shkëputje disa mujore, ne do të jemi çdo të mërkurë pranë publikut. Këtë herë me një studio të re dhe plot risi.
Të ftuarit e mbrëmjes së sotme janë ish-deputeti i PD, Dashnor Sula dhe gazetari Bledian Koka. Ata kanë folur mbi aktualitetin politik, arrestimin e avokatit në Elbasan, por fokusi i veçantë ka qenë te gara për Tiranën, ku edhe pse Kushtetuesja ka pezulluar zgjedhjet, palët janë bërë gati për votime. Po ashtu nuk mbeti pa u prekur situata në PD dhe drejtësia.
Dshnor Sula u ndal te SPAK. Sipas tij, SPAK nuk ka dështuar, por është i penguar nga vetë arkitektura ligjore dhe politike që iu vendos në momentin e krijimit. Ai shprehet se gjatë reformës në drejtësi, SPAK-ut nuk iu dha një njësi e pavarur hetimi apo ndjekjeje, por iu la në dorë Policisë së Shtetit, e cila është pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe rrjedhimisht, nën ndikimin politik.
Dashnor Sula: Unë nuk mund të pretendoj absolutisht që të them që SPAK-u është në nivelin maksimal të gjithçkaje dhe të arritjes së rezultateve perfekte, por kurrë s’do ta pranoja që SPAK-u ka dështuar. Por kurrë nuk do ta pranoja që pushteti legjislativ dhe pushteti ekzekutiv sot, apo dje apo nesër, është më mirë sesa pushteti gjyqësor dhe në rastin konkret aktiviteti i SPAK-ut.
E them këtë sepse deri më sot, po të shikosh, po të hetosh, ose të bësh një hetim të detajuar në lidhje personale për anëtarët e SPAK-ut, prokurorët apo gjyqtarët, nëse ka problematika, mund të ketë me gishtat e dorës në një, dy ose tre maksimumi. Ndërsa në politikë, në pushtetin ekzekutiv dhe në pushtetin legjislativ, dhe në politikë në tërësi, ka problematika jashtëzakonisht të mëdha dhe njerëz shumë të korruptuar.
Dhe tani çfarë mund të bëjë SPAK-u në një kohë që ashtu organizohet, ashtu bëhet ligji? Po ju them vetëm një detaj: kur u bë ligji më 2016–2017, filloi reforma në drejtësi, SPAK-ut nuk i lanë një mekanizëm të veçantë, për shembull për rastin e Policisë së Shtetit, për dekonspirimin. Është e pamundur që SPAK-u të ndjekë një individ apo një politikan, pa e marrë vesh pushteti ekzekutiv, që është Policia e Shtetit, e cila mund ta dekonspirojë dhe t’i japë sinjale se po përgjohet apo po e ka nën vëzhgim.
Pra, këtë gjë politika e bëri me qëllim, duke e mbajtur të varur SPAK-un dhe pa krijuar një njësi specifike të veçantë që të kishte nën kontroll survejimet dhe gjithçka tjetër. Iku kjo punë, vazhdojmë më tej.
Të tre jemi në një moshë që e kemi ndjekur periudhën e viteve ’90. Më gjej raste të politikanëve, të kryetarëve, të komunave apo funksionarëve të pushtetit ekzekutiv të nivelit më të ulët që kanë dalë përpara drejtësisë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose disa herë.
Sot, është i drejtë apo i padrejtë procedimi për Sali Berishën, për Ilir Metën, për Erion Veliajn, për zëvendësministra e shumë figura të tjera të larta që nuk konceptoheshin edhe në perceptimin qytetar, madje edhe nga unë vetë. Ka mundësi që SPAK-u të dështojë? Nëse nuk shkon përpara me këto çështje, sigurisht që do të gjykohet nga rezultatet.
Lini një Përgjigje