TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Janar 2026, 18:32

Blofi i Ramës me “dhuratën” për gazetarët; heqja e shpifjes nga Kodi Penal, kusht i BE

Shkruar nga Pamfleti
Blofi i Ramës me “dhuratën” për gazetarët; heqja
Rama në konferencën e fundvitit

Kryeministri e shet si sukses të tij një detyrim të panegociueshëm nga Brukseli…

Në konferencën e fundvitit, Edi Rama tentoi të shesë si "dhuratë për gazetarët" një prej kushteve më të vjetra dhe të panegociueshme të Bashkimit Evropian: dekriminalizimin e shpifjes. Me tone ironike dhe cinike, kreu i qeverisë u tall me median, duke thënë se “tani jeni të lirë të shpifni sa të doni”, ndërsa në sfond jehonin dy dosjet e nxehta të SPAK-ut për aferat në AKSHI dhe ARRSH.

Do të shpifni dhe nuk do të ndiqeni më penalisht. Ju nuk shpifni? Patjetër, pasi po nuk shpifët, s’ju duheni atyre që ju punsojnë. Mjafton që të thuash një gjysmë të vërtetë dhe ka marrë fund”, tha Rama, duke relativizuar konceptin e shpifjes dhe duke e përdorur atë si mekanizëm presioni ndaj medias.

Por e vërteta është ndryshe. Dekriminalizimi i shpifjes nuk është iniciativë personale e Ramës apo akt “bujarie” ndaj gazetarëve, por një kërkesë e përsëritur nga Bashkimi Evropian, OSBE dhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Këto institucione ndërkombëtare kanë denoncuar vazhdimisht përkeqësimin e klimës së medias në Shqipëri, përmes kontrollit politik mbi pronësinë e saj, përdorimit të padive si armë frikësimi dhe tentativave të përsëritura për censurë ligjore.

Aktualisht, shpifja mbetet pjesë e Kodit Penal. Neni 120 i tij përcakton qartë: "Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë gjer në 1.5 milionë lekë. Në rast se kjo vepër kryhet publikisht ose më shumë se një herë, gjoba shkon deri në 3 milionë lekë”.

Kundërvajtje penale apo jo, një gjë është e qartë: Rama po tenton të paketojë një presion të jashtëm si akt vullneti politik, ndërkohë që në sirtarët e Kuvendit ndodhen disa projektligje të dënueshme ndërkombëtarisht që synojnë kufizimin e medias online dhe goditjen e portaleve të pavarura.

Në vend që të respektojë lirinë e shtypit, mazhoranca shqiptare ka zgjedhur të manipulojë narrativën dhe të relativizojë një nga pikat kyçe për hapjen e mëtejshme të negociatave me BE-në. Ndryshimi do të ndodhë: por jo sepse Rama “u bë zemërgjerë”, por sepse Evropa e kërkon dhe monitoron çdo hap. /Pamfleti

Lini një Përgjigje