TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Janar 2025, 15:55

Berishës nuk i dalin llogaritë në Kushtetuese, hap tjetër “front lufte” me Marsida Xhaferllarin!

Shkruar nga Pamfleti
Berishës nuk i dalin llogaritë në Kushtetuese, hap tjetër
Berisha-Xhaferllari-Alibeaj

Berisha ka bërë një kërkesë zyrtare për përjashtimin e gjyqtares, kërkesë që vjen vetëm 2 ditë para gjyqit...

Sali Berisha nuk i ndahet Marsida Xhaferllarit. Ish-kryeministri më 17 janar ka një betejë vendimtare në Kushtetuese, pasi ka kërkuar prej saj heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, kërkesë e bërë para se të ndryshonte masa. Edhe pse ai është në liri, kërkon të vendosë precedent për të mos e arrestuar më dhe duket se nuk i dalin numrat në Kushtetuese.

Prej disa ditësh anëtarja Marsida Xhaferllari është vënë nën presion për shkak se ajo është partnere e Enkelejd Alibeajt, e deputetit demokrat të shpallur armik nga Berisha. Ky i fundit pretendon se kemi të bëjmë me konflikt interesi dhe prej ditësh njerëz dhe media pranë tij po e sulmojnë gjyqtaren. Vetë Xhaferllari bëri një kërkesë, duke hequr dorë nga gjykimi. Por sot Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi të mos e pranojë kërkesën e saj.

Në asnjë rast, asnjë familjar dhe asnjë person me lidhje të afërta me mua nuk ka tentuar të më ndikojë në ushtrimin e detyrës. Në kërkesë nuk ka asnjë provë që sugjeron një veprim specifik nga ana ime, por vetëm aludime subjektive të palëve të treta. Duke pasur parasysh këto kritere, çmoj se funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese nuk vihet në rrezik për shkak të mungesës së kuorumit, gjë që më lejon të vlerësoj kriterin e dytë dhe të tretë. Reputacioni i Gjykatës është thelbësor, edhe nëse cenohen padrejtësisht të drejtat e mia individuale, më e rëndësishme është siguria e kërkuesit dhe publikut që gjykimi është i drejtë dhe i paanshëm”, argumentonte Marsida Xhaferllari.

Mirëpo Berisha ka bërë një tjetër lëvizje. Sot ai ka bërë një kërkesë zyrtare për përjashtimin e gjyqtares, kërkesë që vjen vetëm 2 ditë para gjyqit. Në shkresë ai pretendon konflikt interesi. Tani duhet që të mblidhet sërish Mbledhja e Gjyqtarëve dhe të vendosë për kërkesën e tij, por që me gjasë do të rrëzohet. Pasi si sot, ashtu dhe në seancën e mëparshme, vetë Mbledhja e Gjyqtarëve deklaroi se nuk kemi konflikt interesi. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje