TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Janar 2025, 15:39

A do ta lëshojë Rama, Vullnet Sinajn? Këshilli i Mandateve mblidhet më 17 janar

Shkruar nga Pamfleti

A do ta lëshojë Rama, Vullnet Sinajn? Këshilli i Mandateve

Ky mocion kërkon ndjekjen e procedurës për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Sinaj, si dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të zhvillojë një mbledhje më 17 janar 2025, në orën 10:00, në Kryesinë e Kuvendit, ku pritet të diskutohen disa tema, mes tyre edhe mandati i deputetit socialist Vullnet Sinaj.

Një nga pikat kryesore do të jetë vijimi i mbledhjes për mocionin e paraqitur nga një grup prej 1/10 të deputetëve të Partisë Demokratike. Ky mocion kërkon ndjekjen e procedurës për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Sinaj, si dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Mandati i deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë përfundon në shtator, kur edhe pritet të betohen 140 deputetët e rinj që do të dalin nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Si rrjedhojë, mocioni i papajtueshmërisë së mandatit për deputetin Sinaj nuk mund të shqyrohet nga Gjykata Kushtetuese pas datës 10 mars.

Mocioni i papajtueshmërisë i firmosur nga deputetë të opozitës u shqyrtua në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores në datë 20 nëntor. Opozita e akuzon Spiropalin se po zvarrit qëllimisht këtë procedurë me synimin për të djegur afatet ligjore për shqyrtimin e papajtueshmërisë së mandatit në Gjykatën Kushtetuese.

Çështja e Sinajt paraqet një rast të pastër të konfliktit të interesit krahasuar me rastet e tjera që janë shqyrtuar më herët nga gjykata. Provat e sjella në mocion janë disa fatura blerjesh nga institucione publike pranë rrjetit të supermarketeve “Big Market” në pronësi të Sinajt, që kapin shifrën 3.6 milionë lekë.

Vetë Sinaj nuk i pranoi akuzat, ndërsa avokatja e tij i cilësoi provat e paraqitura në mocion si të pamjaftueshme për të provuar shkeljen e Kushtetutës nga deputeti.

Ky është mocioni i dytë ndaj një deputeti socialist brenda kësaj legjislature, pas mocionit ndaj deputetes Olta Xhaçka, bashkëshorti i së cilës përfitoi statusin “investitor strategjik” dhe plazhin para hotelit në Dhërmi.

Përveç mandatit të deputetit Vullnet Sinaj, në rendin e ditës do të shqyrtohen dy projektvendime të rëndësishme:

Projektvendimi “Për disa shtesa në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004, ‘Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë’” i paraqitur nga deputetet Blerina Gjylameti dhe Sorina Koti. Ky projektvendim pritet të sjellë ndryshime që do të ndikojnë në funksionimin e brendshëm të Kuvendit.

Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004, ‘Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë’” i paraqitur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që gjithashtu synon të sjellë përmirësime në proceset rregullatore.

 

Lini një Përgjigje