
Ditën e enjte nisim qëndresën në Parlament. Nuk ka më nënshtrime dhe përçmim nga një horr, një kriminel, nga një njeri që nuk ka asnjë parim.
Ish-kryeministri Sali Berisha do të vërë nesër në zbatim planin për të rikthyer tensionet dhe përplasjet në sallën e Kuvendit. Dje ai dhe Gazmet Bardhi morën vendimin që të shpërdorojnë reagimet përballë mazhorancës dhe plani do të zbatohen nesër në seancë plenare. Ka qenë Sali Berisha që e ka njoftuar një gjë të tillë. Ai mblodhi sot në një takim strukturat e Tiranës, ku paralajmëroi kaos dhe tensione në sallën e Parlamentit, duke rikthye kështu skenat e vjetra.
“Ditën e enjte nisim qëndresën në parlament. Nuk ka më nënshtrime dhe përçmim nga një horr, një kriminel, nga një njeri që nuk ka asnjë parim. Që është i gatshëm të shesë gjithçka për pushtetin e tij. Nisim betejën në parlament. Për të mos e ndalur më, deri në rivendosjen e të drejtës së votës së lirë të shqiptarëve. Nuk është betejë e lehtë. Por është absolutisht e fitueshme. Deputetët në mbledhjen e tyre dje në të gjitha diskutimet kanë qenë të mendimit që beteja të nis në parlament. Nuk shkohet më kështu”, tha ai.
Ndërkohë sot janë zbardhur dhe debate që kanë ndodhur në mbledhjen që pati dje grupi i PD. Ka pasur nga ata deputetë që kanë kërkuar masa ekstreme.
Një propozim i fortë ka qenë ai i deputetit Bujar Leskaj, i cili ka kërkuar që demokratët të shkojnë në ekstrem, madje propozoi idenë e grevës së urisë, si Pjetër Arbnori.
“Duhet të thellojmë aksionin opozitar. Situata jonë është e vështirë. Kjo do te thotë se duhet te reagojmë saç duhet. Duhet te marrim hap pas hapi te gjitha mundësitë e reagimit, duke shkuar edhe deri ne ekstrem, ne greve urie, siç ka bere Pjeter Arbnori në vitin 1997”, mësohet të jetë shprehur Leskaj.
Më tej, Helidon Bushati ka deklaruar se deputetët nuk duhet të kenë komplekse për bojkotin.
“Unë besoj doktor se ne nuk duhet ta përjashtojmë edhe bojkotin, jo një bojkot pafund, po një bojkot me një kohe te caktuar dhe që ka qëllime të qarta politike. Nuk duhet te kemi kompleks bojkotin”, është shprehur Helidon Bushati.
Berisha ka kundërshtuar bojkotin, duke insistuar tek aksioni për t’i dërguar letra kancelarive të huaja. “Mendoj se ne duhet të bëjmë një letër, edhe publike, dhe t’ua shpërndajmë kancelarive, ndërkombëtare dhe t’i vëmë në dijeni se çfarë po ndodh në parlamentin shqiptar, së çfarë po ndodh me opozitën. Më pas duhet te mbledhim partitë aleate, ku mund te diskutojmë për situatën në fjalë dhe hapi i fundit është përplasja, në mënyrë që të mos lejojmë zhvillimin normal të seancave parlamentare, por t’i bllokojmë ato”, tha ai.
Lini një Përgjigje