TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Janar 2025, 20:23

Berisha u flet të deleguarve të PD mbi vendimet e Trump, paralajmëron edhe Soros: Ik nga Shqipëria para 11 majit

Shkruar nga Pamfleti

Berisha u flet të deleguarve të PD mbi vendimet e Trump,

Kreu demokrat Sali Berisha gjatë një takimi me të deleguarit në qarkun e Tiranës ka paralajmëruar fondacionin Soros që të largohet nga Shqipëria para zgjedhjeve të 11 majit.

Berisha tha se Aleks Soros ishte sot me Edi Ramën, foto që e kishte publikuar vetëm djali i filantropit, George Soros.

“Edi Rama sot ishte me Aleksis Soros, po foton e tij nuk e kishte publikuar, Aleksis po, Rama jo.

Megjithatë unë shfrytëzoj këtë rast t’i kërkoj publikisht Aleksis Soros të konsiderojë mbylljen e Fondacionit të Hapur në Tiranë për veprimtarinë e tij anti-opozitë dhe ta garantoj se një nga dekretet e para të Sali Berishës do jetë mbyllja e tij pas zgjedhjeve të 11 majit.

I ka bërë shumë të këqija shqiptarëve, opozitës, por edhe vetë interesave të SHBA. Kështu që me siguri do t’ia çojë edhe përfaqësuesi i tij këtu.

Por edhe përfaqësuesit të tij këtu i bëj thirrje të kërkojë mbylljen para zgjedhjeve se pas zgjedhjeve, ai nuk do mund të funksionojë.

I ka bërë shumë të këqija shqiptarëve në shumë aspekte, por me ndërhyrjet që ka bërë me sistemin monstruoz të drejtësisë që krijoi vetëm për Edi Ramën, ai faktikisht i ka lënë qytetarët pa drejtësi dhe ka krijuar një institucion politik, të cilit në disa aspekte edhe Enver Hoxha do ia kishte lakminë”, tha Berisha.

Në pjesën më të madhe të fjalës që iu mbajti të deleguarve në Qarkun e Tiranës, Berisha u foli për Donald Trump, Presidentin e 47 të SHBA.

Berisha deklaroi se rikthimi i Donald Trump është një mrekulli jo vetëm për kombin amerikan, por për mbarë botën. Sipas tij, në dy ditë veprimtarie intensive në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Donald Trump ka bërë sa në një mandat.

“Ndryshime të mëdha, të jashtëzakonshme kanë ndodhur këto ditë në timonin e Shtëpisë së Bardhë me inaugurimin e presidentit Donald Trump, në rikthimin më të fuqishëm dhe më të jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit me votën e lirë. E kam theksuar dhe e theksoj se nuk ishte një mrekulli vetëm për kombin amerikan, por kjo ishte një mrekulli për të gjitha kombet dhe njerëzit e lirë në mbarë botën.

Në dy ditë veprimtarie intensive në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Donald Trump, siç do shprehej një kundërshtar i tij, ka bërë sa në një mandat. Ai premtoi në mënyrë të përsëritur kombit amerikan një transformim të SHBA, çka nënkupton dhe një transformim të të gjithë asaj që fuqia amerikane projekton në mbarë botën. Ky transformim në dy ditë çmontoi në mënyrë themelore të gjithë doktrinën, praktikën e agresionit të frymëzuar nga ekstremi i majtë marksist-leninist dhe post-marksist sorosian ndaj familjes.

Presidenti Donald Trump bëri të qartë se cila është familja për SHBA, ajo që ka qenë nga Adami dhe Eva dhe gjer para këtij agresioni që u ndërmor vitet e fundit ndaj familjes me numerotimin e prindërve me numër 1 dhe 2 dhe me idenë e krijimit të fermave të femrat për qëllimet më të mbrapshta njerëzore. Në këto dekrete të një rëndësie historike merr fund agresioni post-marksist ndaj gjinisë

Presidenti dekretoi se sot e tutje në SHBA, gjinitë do jenë vetëm ato që ka falur Zoti. Burrë dhe grua apo mashkull dhe femër. Këto qëndrime janë të një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për SHBA. Por u garantoj se pas SHBA, kopshti eksperimental i doktrinës kriminale të Xhorxh Sorosit më shumë se çdo vend tjetër ishte Shqipëria”, tha Berisha.

Lini një Përgjigje