TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Janar 2024, 19:21

Berisha thirrje për vetëgjyqësi: Shqiptarët të mos presin drejtësinë, ta arrestojnë vetë Ramën

Shkruar nga Pamfleti

Berisha thirrje për vetëgjyqësi: Shqiptarët të mos

Ish-kryeministri Sali Berisha sërish ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama nga dritarja e banesës së tij.

Berisha duke folur për përjashtimin e 19 deputetëve opozitarë nga punimet e Kuvendit, ka thënë për mbështetësit e tij se një parlament i tillë nuk ka ekzistuar që prej kohës së diktaturës.

Sipas tij kryeministri Edi Rama duhet të arrestohet sa më parë.

“Sot çdo pushtet është përqendruar në një dorë, në dorën e keqbërësit më të madh pas Enver Hoxhës që shqiptarët kanë pasur në krye.
Është përqendruar në një dorë të hajdutit më të madh në historinë e shtetit shqiptar.
Është përqendruar në një dorë të një krimineli kombëtar dhe ndërkombëtar, që quhet Edi Rama.
Çdo minutë, çdo orë dhe ditë që kalon më i rëndë bëhet turpi mbi shqiptarët që tolerojnë një kryeministër të inkriminuar, një kryeministër që ka kryer krime të shëmtuara ndaj vendit të tij dhe ndaj udhëheqësit të NATO-s, vendit të madh të lirisë, SHBA”, ka thënë Berisha në fjalimin e përditshëm.

Ai ka vijuar akuzat e tij duke thënë se edhe drejtësia amerikane e ka kapur në flagrancë Edi Ramën.

Madje sipas Berishës Edi Rama duhet arrestuar nga vetë qytetarët pa pritur drejtësinë të veprojë.

“Drejtësia amerikane e ka kapur në flagrancë Edi Ramën.
Edi Rama duhet të arrestohet, të arrestohet nga ju, të arrestohet nga ju dhe vetëm nga ju.
Edi Ramën duhet të arrestojnë shqiptarët. Të mos presin mandatet e arrestit të FBI apo të ndokujt tjetër.
Shqiptarë në këmbë për të arrestuar një kriminel që rekruton, që korrupton kryezbuluesin e vendit partner për të shkatërruar opozitën shqiptar. 
Shqiptarët duhet ta arrestojnë vetë këtë kriminel që paguan para droge, para krimi, për të shkatërruar opozitën shqiptare”, ka bërë thirrje ish-kryeministri.

Berisha ka theksuar se Edi Rama është një kriminel që futet në zyrat e shtetit dhe se tashmë ka ardhur koha që shqiptarët të ngrihen dhe të bëjnë drejtësi kundër tij.

sali berisha edi rama

Lini një Përgjigje