Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në protestën kombëtare, akuzoi qeverinë për shndërrimin e zgjedhjeve në një “farsë elektorale” dhe përdorimin e parave publike për interesat e tij personale. Berisha akuzoi qeverinë për faljen e 2 miliardë eurove gjoba dhe kamata për qëllime personale, si dhe për shndërrimin e punonjësve të shtetit në “policë të votës së lirë”.
Më tej, ai theksoi se përmes kontrollit mbi mediat dhe lobistët e kontraktuar, qeveria synon të imponojë një Shqipëri pa opozitë.
"Të dashur miq, pasi shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, duke organizuar me paratë tuaja mijëra veprimtari të paligjshme në periudhë elektorale, duke arrestuar liderët kryesorë të partive opozitare, duke përdorur tonelatat e drogës të karteleve, duke shndërruar nëpunësit e shtetit në policë të votës së lirë, duke falur 2 miliardë euro gjoba dhe kamata vetëm për karrigen e tij, ai në një revansh të paparë bëri gjithçka që të mbyllë çdo hapësirë opozitës. Ai mendoi se projektin e tij Shqipëria pa opozitë, tani do e realizojë. Miq, rrallë ndonjëherë ka vendosur, vetëm në disa vende të Afrikës, që qeveritarët të bëhen multi-miliarderë dhe miliarderë dhe qytetarët të varfërohen dhe të braktisin vendin e tyre.
Me paratë tuaja, Edi Rama ka vendosur vellon e zezë të censurës, paguan mediat e tij, të cilat glorifikojnë të keqen, i thurin lavdi krimit të tij, demonizojnë opozitën, mashtrojnë qytetarët. Me paratë që u grabit ju, ky armik i egër i qenies shqiptare, kontrakton lobistë, ish-ministra, ish-kryeministra, diplomatë, ambasadorë, zyrtarë të lartë, për deklarata të paguara, për mashtrime ndërkombëtare, për beteja kundër opozitës. Të gjitha duke besuar se Shqipëria pa opozitë është projekt që do e realizojë së shpejti. Po ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë, më të vendosur se kurrë në ekzistencën tonë për të përmbysur këtë narkodiktaturë siç përmbytëm etërit e tij 35 vjet më parë", tha Berisha.
Lini një Përgjigje