Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një video-mesazhi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për manipulim të fakteve dhe përsëritje të gënjeshtrave.
Sa i përket procesit të integrimit europian dhe rezolutës së miratuar me votat e PS dhe PD, Berisha deklaroi se opozita e mbështet integrimin për arsye gjeopolitike, por sipas tij Shqipëria nuk i përmbush kriteret për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Shqipëria përveç kriterit gjeopolitik nuk plotëson absolutisht asnjë kriter për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por opozita e mbështet këtë proces si një proces të diktuar nga gjeopolitika dhe kurrë ndonjëherë nuk ka menduar dhe nuk mendon të bllokojë procesin. Rezoluta nga alfa tek omega nuk ka asnjë fjalë vlerësimi për punën e qeverisë apo të parlamentit, por thjesht rreshton kërkesat dhe detyrat të domosdoshme për procesin e integrimit”, theksoi Berisha.
Kreu i PD-së u ndal edhe te prokurimet publike, duke deklaruar se sipas vlerësimeve ndërkombëtare Shqipëria ka pësuar rënie të ndjeshme në standardet e transparencës dhe tenderimit publik. Ai ngriti akuza edhe për përfitime të paligjshme nga persona që, sipas tij, janë të lidhur me kryeministrin.
Berisha kritikoi gjithashtu deklaratat e Ramës gjatë një konference në Talin, ku kryeministri krahasoi shqiptarët me talebanët, duke e cilësuar këtë qëndrim si fyes dhe të papranueshëm.
Në vijim, lideri demokrat hodhi poshtë edhe pretendimet e Ramës për mungesë kontaktesh historike me Rusinë, duke deklaruar se ndër vite kanë ekzistuar disa vizita zyrtare mes dy vendeve.
Video-mesazhi i plotë:
Të dashur qytetarë dhe qytetare! Sot përsëri në monologun e tij të së dielës, Edi Rama lëshoi serialin e gënjeshtrave dhe trillimeve. Kështu, pasi u damkos nga institucioni i Tender Europe, i cili në vlerësimet e tenderave në 38 vende gjeti se Shqipëria kishte një rënie dramatike nga viti 2010 gjer në vitin 2026, nga 80 pikë që kishte në vitin 2010-2013, bie në 64 pikë në vitin 2026 dhe secili nga ju mund të shohë këtë grafik të këtij institucioni.
Përveç kësaj, Europe Tender gjen se transparenca ka rënë në 50 pikë dhe dramatike është se flamujt e kuq kanë 40% të tenderave dhe në këtë kontekst rikujtoj këtu se është baxhanaku i Edi Ramës që ka fituar qindra tendera sekrete në kundërshtim me ligjin dhe vetëm në një vit ka marrë 800 transaksione pagesa nga thesari i shtetit. Pra, një gënjeshtër sa më shumë të përsëritet bëhet aq më e zezë dhe nuk bëhet e vërtetë. Së dyti, në monologun e tij, ai u ndal tek një konferencë e zhvilluar në Talin, ku në mënyrën më të papërgjegjshme krahasoi, pa u skuqur, pa u zverdhur shqiptarët me talebanët, duke u përpjekur të jetë interesant se shqiptarët janë në besimin e tyre të perëndimit si talebanët e Europës.
Asgjë s’i lidh shqiptarët me talebanët. Nuk i lidh as e shkuara, as besimi i tyre, as politika dhe asgjë tjetër. Ata janë një organizatë terroriste e damkosur dhe krahasimi i kombit tënd me një organizatë si ajo, të tregon se je një njeri i shpërlarë, që je i gatshëm të thuash çdo fjalë për t’u bërë interesant. Po në këtë konferencë, mori përgjigjen që meriton, lideri apo për të mos thënë budallai global. Moderuesi i konferencës hodhi poshtë tezat e tij, këshillat e tij për Europën dhe kjo hedhje poshtë u duartrokit nga audienca, çka e nervozoi shumë Edi Ramën dhe harroi se është një konferencë ndërkombëtare, filloi të thotë se nuk kam thënë këtë apo atë. Përveç kësaj, po në këtë konferencë, përsëriti gënjeshtrën e tij banale se nga vitet ’60 gjer sot nga Shqipëria dhe Rusia nuk kanë patur asnjë shkëmbim vizite, në një kohë kur kanë qenë të paktën mbi 12 vizita, ndër të cilat të niveleve president, kryeministra, kryetarë parlamentesh dhe vetë Sergei Lavrov, në vitin 2004, ka ardhur në Shqipëri dhe ka iniciuar me Partinë e Edi Ramës traktatin e miqësisë.
Në monologun e tij, ndër të tjera, u ndal dhe tek rezoluta që u votua në parlament, duke pretenduar se opozita e votoi pasi konstatoi se po zhbllokohet IBAR. E vërteta është se, opozita ka një tezë nga e cila nuk lëviz, se Shqipëria përveç kriterit gjeopolitik nuk plotëson absolutisht asnjë kriter për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por opozita e mbështet këtë proces si një proces të diktuar nga gjeopolitika dhe kurrë ndonjëherë nuk ka menduar dhe nuk mendon të bllokojë procesin. Rezoluta nga alfa tek omega nuk ka asnjë fjalë vlerësimi për punën e qeverisë apo të parlamentit, por thjesht rreshton kërkesat dhe detyrat të domosdoshme për procesin e integrimit.
Mos jep mendime ti mot TRADHETAR, ate vlereson EUROPA