TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Maj 2026, 11:10

Armiku i padukshëm i Berishës; çfarë e rrezikon ‘referendumin, për kreun e PD

Shkruar nga Pamfleti
Armiku i padukshëm i Berishës; çfarë e rrezikon
Sali Berisha dhe Flamur Noka

Për 23 majin, zyrtarisht nga PD nuk janë publikuar të dhëna mbi numrin e anëtarëve që kjo forcë politike ka me të drejtë vote, ndërsa proceset zgjedhore për drejtuesit e degëve, evidentuan që nga listat ishin hequr anëtarë, ose ishin shtuar të tjerë fiktivisht...

Partia Demokratike zhvillon më 23 maj procesin zgjedhor për kreun e kësaj force, ndërsa anëtarësia është thirrur për të votuar në qendrat e votimit që do të ngrihen pranë selive apo degëve të PD-së në të gjithë vendin. Pavarësisht se zyrtarisht flitet për një garë, në fakt procesi ka vetëm një kandidat: Sali Berishën. Kreu demokrat pret të rikonfirmohet në pozicionin ku zyrtarisht u rikthye në 18 dhjetor 2021, pas një referendumi ku sipas të dhënave Berisha mori mbi 90% të votave.

“Në përfundim, në total kanë votuar për kryetarin e PD 43 680, ndër të cilët 40 820 kanë votuar për zotin Sali Berisha, ose 93 përqind të votave. Komisioni shpall zotin Sali Berisha fitues të garës dhe kryetar të PD”, deklarohej zyrtarisht në 18 dhjetor 2021, nga kryetarja e Komisionit Zgjedhor, Albana Vokshi.

Ndërkohë që për procesin që do të mbahet më 23 maj, një javë përpara zhvillimit të Kuvendit Kombëtar të PD-së, ku delegatët do të zgjedhin anëtarët e Këshillit Kombëtar, si dhe do të miratojnë ndryshimet në statutin e kësaj partie, gjithçka është hermetike.

Berisha është i vetmi kandidat në garë, ndërsa më herët një nga një janë skualifikuar të gjithë ata që kishin depozituar kërkesat dhe dokumentacionin për të sfiduar kreun demokrat. Edhe pse me mënyrën se si e kontrollon PD-në nuk rrezikohej për postin e kryetarit, Berisha ka zgjedhur, që atë që mund të ishte një garë zgjedhore, ta kthente në një “referendum” apo në një votëbesim të anëtarësisë, ndaj tij.

Për 23 majin, zyrtarisht nga PD nuk janë publikuar të dhëna mbi numrin e anëtarëve që kjo forcë politike ka me të drejtë vote, ndërsa proceset zgjedhore për drejtuesit e degëve, evidentuan që nga listat ishin hequr anëtarë, ose ishin shtuar të tjerë fiktivisht. Rasti më flagrant u evidentua në Korçë, ku procesi për zgjedhjen e kryetarit të degës u bllokua, ndërsa ende nuk dihet se kur mund të mbahet.

Gjithsesi, Berisha shkon drejt rikonfirmimit me të vetmen pikëpyetje: sa përqind e anëtarësisë do i dalë për ta votuar, ose sa përqind e atyre që do të shkojnë të votojnë, do të nxjerrin të pavlefshme votat. Ndoshta ky është edhe armiku i padukshëm i Berishës në 23 maj. Me pak fjalë kreu i PD-së do të ketë si kundërshtar vetëm ‘bojkotin’ ose fletët e pavlefshme.

Shumë nga ata që mbështesin kandidatët që nuk u lejuan të hyjnë në garën për kreun e PD-së mund të zgjedhin të mos shkojnë të votojnë, ose të shkojnë dhe të nxjerrin fletët e pavlefshme. Dhe kjo mund të jetë supriza më e pakëndshme që Berisha mund të përballet, edhe pse kontrollon deri në qelizë të gjithë procesin.

Sa kohë nuk bëhet publik numri i atyre që kanë të drejtën e votës, pra numri i votuesve, ‘të besuarit’ e Saliut do të luajnë me shifrat. Në fund do të jetë e vështirë për të kuptuar sa përqind e numri real të votuesve kanë shkuar në qendrat e votimit dhe sa prej tyre do të nxjerrin të pavlefshme votën.

Fakti që në garë s’ka asnjë kandidat tjetër përveç Berishës, do të thotë se procesi nuk do të mund të vëzhgohet nga askush tjetër, përveçse atyre që do të caktojë kreu i PD-së. Ndoshta kjo është edhe arsyeja reale, pse Berisha nuk lejoi qoftë edhe formalisht në garë, emra të tjerë, pa peshë politike, që nuk e rrezikon aspak, por që nëse do të legjitimoheshin si kandidatë kishin të drejtë të merrnin listat e votuesve, të monitoronin procesin dhe në përfundim mund të bënin publike shifrat reale, jo ata që modifikon komisioni.

Të paktën deri më 23 maj, Berisha e eleminoi edhe këtë rrezik. /Pamfleti/

 

 

 

berisha pd zgjedhje

2 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Kur nuk ka garë, nuk ka as përfaqësues të garistëve në komisione. Kur fituesi automatikisht është përcaktuar për çfarë votohet? Për të parë Berisha se sa e ka mbështetjen në PD? Po pse listat e pjesëmarrësve në votime nuk manipulohen? Çfarë do bëjnë këta sfiduesit e Berishës, do ti drejtohen gjykatës administrative?Sfiduesit e Berishës ose skanë asnjë alternativë tjetër për ta bashkuar opozitarizmin shqiptar, ose janë b....rsa, ose janë me axhenda Edviniste. Kur flamurmbajtësi është dora vetë Barisha, këta si hyjnë në punë as dreqit.

    1. R
      Roçka I peqinit

      votat dalin 99.99%

      Lini një Përgjigje