
Partia Demokratike vijon të jetë në krizë teksa edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen për bashkinë e Kukësit nuk kandiduan me një kandidat të vetëm, por u ndanë në dy pjesë.
I propozuar si kandidat për “Primaret” e Kukësit nga ish kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PD, Lulzim Basha Arif Rexhmati është shprehur kundër këtij procesi duke thënë se nxit më tepër përçarje se sa i bashkon demokratët.
Rexhmati, i cili është kreu i PD-së së Kukësit shprehet se demokratët duhet të gjejnë një kandidat gjithëpërfshirës dhe konsensual dhe të mos merren me procesin e primareve që sjell pakënaqësi dhe përçarje.
Postimi i plotë i Arif Rexhmatit:
Të nderuar demokratë,
Fillimisht dua të shpreh konsideratën më të lartë për anëtarësinë e PD Kukës. Ndihem thellësisht i përulur nga vlerësimi dhe besimi juaj duke më propozuar për kandidat për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Bashkinë Kukës.
Mirënjohja ime është për gjithësecilin prej demokratëve që me sakrifica të patregueshme kanë qëndruar dhe qëndrojnë përballë imoralitetit dhe antivlerave që i janë imponuar padrejtësisht Kukësit dhe kuksianëve. Shpreh vlerësimin më të thellë dhe falenderimet për këdo që është investuar sinqerisht për një proces gjithpërfshirës dhe përbashkues për një kandidat konsensual duke përfshirë deputetët e Qarkut Kukës, z. Flamur Hoxha dhe z. Isuf Çela.
Në situatën që po kalon PD, kam shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë e një zgiidhje përbashkuese, që do të çonte në përfaqësimin me një kandidat të vetëm rezident në Kukës sipas kërkesës së demokratëve të Kukësit.
Ndonëse mbështes parimin e konkurrencës, gjykoj ashtu si shumë prej demokratëve, se futja në një proces primaresh kur ka mbetur vetëm një muaj nga zgjedhjet dhe kur situata e brendshme e demokratëve vazhdon të vuajë pasojat e konfliktualitetit dhe të fajsimit, me gjithë qëllimin e mirë në vetvete, nuk i shërben konsolidimit të strukturave dhe gatishmërise së tyre për fushatën. Hatërmbetjet e pas votimit krijojnë përçarje dhe jo bashkim të anëtarësisë, ndërsa besueshmëria e procesit jo vetëm që nuk jep garanci për bashkim, por mund të jetë burim konflikti gjatë dhe pas procesit, me dëme te pariparueshme për rezultatin në zgjedhje
Duke vënë interesat e demokratëve dhe të mbarë familjeve kuksiane të parat, përsëris apelin tim dhe të shumë demokratëve në Kukës për të evidentuar një kandidat rezident në Kukës, gjithpërfshirës, konsensual, përbashkues me qëllimin e vetëm të fitores mbi kandidatin e rilindjes dhe të oligarkëve të Ramës.
Me konsideratë,
Arif Rexhmati
Lini një Përgjigje