
Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur punën e policisë për arrestimin e zjarrvënësve në vendin tonë, ndërsa drejtësisë i ka bërë presion për të mos liruar kriminelët.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Rama shkruan se zjarrvënia është një krim barbar, ku parashikohen dënime deri në 15 vjet burg.
“Një bravo e madhe për Policinë e Shtetit që këtë verë u është qepur këmba-këmbës zjarrvënësve, duke arritur t’i kapë dhe çojë prapa hekurave, si në rastin e kriminelëve që i vunë zjarrin pyllit në Laç, për të cilët përsëris, si për gjithë të arrestuarit e tjerë, apelin në adresë të gjykatësve në rrethe, që të mos vazhdojnë me avazin e tyre të vjetër të mosndëshkimit të një krimi barbar si ky, i cili në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg.
Një falënderim i përsëritur për trupat e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, e cila e ka rritur ndjeshëm nivelin e performancës gjatë këtij sezoni turistik, duke e mbrojtur me profesionalizëm e shpirt sakrifice pasurinë e paçmueshme natyrore dhe ulur në mënyrë të konsiderueshme dëmet potenciale të këtyre krimeve të neveritshme në verbërinë, shpirtligësinë, marrëzinë e tyre.”, shkruan Rama.
Lini një Përgjigje