SHBA dhe BE kanë dhënë alarmin se si të dhënat e shqiptarëve po vidhen lirisht...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë një tjetër goditje të fortë qeverisë shqiptare sa i takon skandalit me sistemin TIMS.
Ishte i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA, H. Martin McDowell ai i cili pak ditë më parë i shkoi në zyrë Taulant Ballës dhe zbuloi skandalin se janë vjedhur të dhënat e sistemit TIMS. Më pas ashtu rezultoi.
Të dhënat janë grabitur dhe kjo ka alarmuar amerikanët. Diplomati kërkoi që të hetohet rasti, ndërsa sot ka ardhur një tjetër mesazh.
I ngarkuarit tjetër me punë, David Wisner është takuar me ambasadoren e BE në vendin tonë dhe në bisedën mes tyre është folur mbi skandalin në fjalë dhe se si të dhënat e qytetarëve shqiptarë po vidhen.
Wisner dhe diplomatja e BE kanë kërkuar nga autoritet të mbrojnë këto të dhëna. Po ashtu ai ka thënë se reforma në drejtësi dhe instalimi i shtetit ligjor vijojnë të mbeten prioritet për SHBA.
“I ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA, David Wisner, u takua me ambasadoren e BE-së, Christiane Hohmann, për të pohuar bashkëpunimin e ngushtë në mbështetje të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në fushat e reformës në drejtësi dhe sundimit të ligjit. Ata diskutuan gjithashtu mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave në të gjithë sektorët, si dhe nevojën për përshpejtimin e reformave në Shqipëri”, njofton ambasada.
Vjedhja e sistemit TIMS u denoncua nga një drejtues policie, i cili dërgoi një e mail për mediat. Sipas tij, të dhënat u morën nga drejtori i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit, Ervin Muça, që më pas u pezullua nga puna. Ai eksportoi të gjithë bazën e të dhënave të TIMS në një hard disk të jashtëm.
Ervin Muça, për të kryer këtë akt ka përdorur punonjës të dy kompanive private të IT Soft & Solution të Ermal Beqirit, dhe kompaninë “Horizon”, të cilët kishin shkuar gjatë orarit të pasdites pranë laboratorit të DTI-së, në rrugën “Mine Peza” dhe kishin kryer eksportin e të dhënave.
Skandali u mbajt i fshehtë deri, dje kur Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e pranoi dhe bëri padi në prokurori.
Por amerikanët e zbuluan këtë gjë më herët dhe mesazhi i H. Martin McDowell në takimin me Ballën ishte shumë i fortë.
“I Ngarkuari me Punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell u takua sot me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla. Ata diskutuan bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në fushën e zbatimit të ligjit dhe mbështetjen për një sërë çështjesh të lidhura me sigurinë. I ngarkuari me Punë McDoëell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit. Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri. McDoëell i tha gjithashtu Ministrit Balla se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre”, njoftoi ambasada pak ditë më parë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje