
Lulzim Basha ka dhënë një tjetër sinjal se mund të kërkojë kreun e PD. Ai u ndal sot në Dibër në një takim me demokratët, ku shtriu dorën e bashkëpunimit. Basha akuzoi Berishës se për shkak të halleve të tij personale PD është në këtë situatë.
“Me demokratët dhe qendrestarët e Partisë Demokratike të Dibrës diskutuam hapur mbi të gjitha çështjet që kërkojnë vendimmarrje të rëndësishme për të ardhmen e forcës sonë politike dhe të Shqipërisë. Demokratët do të bashkohen përmes vlerave, duke lënë pas mendësinë konfliktuale dhe ndasitë artificiale të shkaktuara nga interesi personal i një individi që për hallin personal ndezi zjarrin e ndasisë brenda familjes tonë politike”, tha Basha.
Sipas tij, që Partia Demokratike të kthehet pranë qytetarëve, të dëgjojë ata dhe të ofrojë një alternativë për problemet e tyre, duhet të shkëputet nga teatri shterp i politikës, që asgjë të mirë nuk sjellë për jetët e njerëzve.
“Partia më e madhe e 14 majit ishte ajo e shumicës së heshtur që refuzoi të zgjedhë midis dy të këqijave. Ne duhet të shtrijmë dorën e bashkëpunimit ndaj kujtdo që është gati për të ndryshuar nga themelet sistemin politik, për të kthyer vendimmarrjen te qytetarët nëpërmjet listave të hapura, vetting-ut të politikanëve, kufizim të mandatit të kryeministrit dhe garantimin e votës së diasporës”, vijoi ish-kreu i PD.
Lini një Përgjigje