TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Shkurt 2026, 21:32

"Bandë huliganësh me pagesë", Koçiu reagon sërish: Të djegësh institucionet është vandalizëm

Shkruar nga Pamfleti

"Bandë huliganësh me pagesë", Koçiu reagon

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar sërish lidhur me skenarët e dhunës gjatë protestës së opozitës para Kryeminstrisë dhe më pas Kuvendit, ku hodhën molotovë, fishekzjarre dhe sende të forta.

Koçiu shkruan se PD po përdor të njëjtat skenare me tym dhe flakë, duke përdorur gjithashtu tone të ashpra ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve që, sipas saj, janë përfshirë në akte vandalizmi.

“Po e shohim përsëri. E njëjta shfaqje e shëmtuar, e njëjta skenografi e vjetër me tym e me flakë, që vjen nga bodrumet e një politike në agoni. Një tjetër ‘revolucion’ me pagesë, ku molotovi zëvendëson fjalën dhe maska fsheh turpin”, deklaroi Koçiu.

Ajo theksoi se një kauzë e drejtë nuk mund të mbështetet mbi dhunën dhe në bandën e huliganëve me pagesë.

“Le ta themi troç, pa asnjë dorashkë: Një kauzë e drejtë nuk ka nevojë për maska dhe as për molotovë. Kush ka të drejtë, ka mbështetjen e popullit, jo bandën e huliganëve me pagesë. Kush ka ide, ka votën,” u shpreh ministrja.

Koçiu shtoi se, përdorimi i dhunës është shenjë paaftësie politike. “Kur kutia e votës të është kthyer në makthin tënd më të madh që prej dy dekadash, atëherë e vetmja rrugë është dhuna si streha e fundit e paaftësisë”, deklaroi ajo.

Në reagimin e saj, ministrja dënoi djegien e institucioneve dhe sulmet ndaj Policisë së Shtetit duke e cilësuar si krim.

“Të djegësh institucionet nuk është politikë, është vandalizëm. Të godasësh Policinë e Shtetit nuk është trimëri, është krim", theksoi Koçiu.

Sipas saj, protesta nuk përfaqëson qytetarët, por cenon stabilitetin dhe imazhin e vendit që sipas saj "po punon, kundër stabilitetit, kundër sigurisë së çdo familjeje dhe kundër imazhit të vendit.

Koçiu paralajmëroi gjithashtu organizatorët të reflektojnë për pasojat e akteve të dhunës, duke theksuar se Shqipëria “nuk është më as ajo e ’97-ës dhe as ajo e rrëmujës suaj mendore”.

Lini një Përgjigje