
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje nga foltorja e Kuvendit Partisë Demokratike që të distancohet nga aktet e dhunës në protestat e organizuara prej saj.
Sipas Ballës, çdo forcë politike ka të drejtën të organizojë protesta, por duhet të mbajë edhe përgjegjësi për mënyrën si ato zhvillohen.
Ai theksoi se personat e përfshirë në akte dhune dyshohet se janë paguar për të kryer veprime të tilla.
“I bëj thirrje PD-së të distancohet nga dhuna në protestat e thirrura nga kjo parti. Çdo parti ka të drejtë të organizojë protesta, por duhet të mbajë edhe përgjegjësi për protestat. Personat e përfshirë në aktet e dhunës dyshohen se janë të paguar për t’i kryer ato akte”, u shpreh Balla.
Balla kërkoi që Kuvendi të mbajë një qëndrim në mbrojtje të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe i bëri thirrje Prokurorisë të aplikojë masa shtesë për garantimin e paprekshmërisë së uniformës.
“PD-ja duhet të distancohet, ndërkohë që Kuvendi duhet të shprehet në mbrojtje të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të kërkojmë nga prokuroria aplikimin e të gjitha atyre masave shtesë për paprekshmërinë e uniformës së Policisë së Shtetit. Ata kanë vënë në rrezik jetën e tyre”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje