Përtej shpjegimeve të dhëna nga Rama apo fakteve që Kuvendi ka miratuar pjesëmarrjen në Bordin e Paqes si dhe dakordësisë së mazhorancës dhe opozitës, Kryeministri ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht nëse do të jetë ose jo në takimin e Uashingtonit…
Bordi i Paqes do të zhvillojë mbledhjen e tij të parë në Uashington më 19 shkurt, ndërsa sipas mediave amerikane ky takim ka si qëllim mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Gazës.
Takimi, i propozuar për 19 shkurt, do të përfshijë udhëheqësit e vendeve që pranuan ftesën e Trump në janar për t'u bashkuar me Bordin, si dhe anëtarët e një komiteti ekzekutiv për Gazën që do të mbikëqyrë specifikat e qeverisjes, sigurisë dhe rindërtimit të territorit, thanë të shtunën dy zyrtarë të administratës Trump.
Zyrtarisht detajet e agjendës së këtij takimi nuk janë bërë publike, sikundër nuk ka konfirmime zyrtare nga stafi i Presidentit republikan se sa liderë do t’i bashkohen takimit në Uashington.
Së fundmi ishte Presidenti izraelit, Beniamin Netanyahu që firmosi me Trump pjesëmarrjen e Izraelit në Bordin e Paqes, ndërsa ka konfirmuar pjesëmarrjen në Bord edhe Indonezia.
Ndërkohë që në të njëjtën ditë dy vende anëtare të BE-së, Polonia dhe Italia, kanë deklaruar zyrtarisht që nuk do t’I bashkohen inisiativës. Këto dy vende iu bashkuan qëndrimit të Gjermanisë, Spanjës dhe Francës, që kanë refuzuar pjesëmarrjen me formatin e deritanishëm të Bordit të Paqes, por edhe Mbretërisë së Bashkuar.
Dy vendet e vetme të BE-së që kanë pohuar zyrtarisht se do të jenë në takimin e Uashingtonit janë Hungaria dhe Bullgaria.
Në anën tjetër, Greqia, një tjetër vend anëtar i BE-së nuk ka një vendim nëse do të jetë ose jo në Uashington, edhe pse kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka refuzuar pjesëmarrjen me argumentin se Bordi u krijua në mënyrë efektive për të anashkaluar Kombet e Bashkuara dhe vepron me një axhendë jashtë kornizës së Rezolutës 2803/25 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila ka të bëjë me aktivizimin e planit të paqes në Gaza.
Shtëpia e Bardhë nuk ka publikuar informacione zyrtare se sa udhëheqës shtetesh janë ftuar në Uashington dhe sa prej tyre kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Ajo që raportohet nga mediat ndërkombëtare është se janë dhjetra ftesa që i janë dërguar udhëheqësve apo liderëve të vendeve të ndryshme, përtej atyre që firmosën në Davos dokumentin me Presidentin Trump.
Pyetja që lind në rastin e Shqipërisë, e cila ratifikoi në Kuvend, pjesëmarrjen në Bordin e Paqes dhe përfaqësimin me Kryeministrin Edi Rama, është nëse ky i fundit do të udhëtojë ose jo drejt kryeqytetit amerikan?

Rama nuk ishte në Davos, ndërsa në një shpjegim publik, tha se nuk kishte udhëtuar drejt Samitit për shkak se kishte zgjedhur të shoqëronte Ivanka Trump, vajzën e Presidentit amerikan, sesa të ishte i pranishëm në vendin ku u nënshkrua dokumenti. Madje Rama tha se këtë zgjedhje e kishte bërë me lejen e babait të Ivankës, Donald Trump.
Përtej shpjegimeve të dhëna nga Rama apo fakteve që Kuvendi ka miratuar pjesëmarrjen në Bordin e Paqes si dhe dakordësisë së mazhorancës dhe opozitës, Kryeministri ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht nëse do të jetë ose jo në takimin e Uashingtonit.
Disa nga mediat në Shqipëri kanë njoftuar pjesëmarrjen e Ramës, por Kryeministri ka zgjedhur të mbajë “sekret” njoftimet. Nuk dihet nëse kjo është një strategji e zgjedhur ose jo prej Ramës, por do të ishte hera e parë që një vizitë e tillë të mbahej sekret dhe detajet të “ruheshin me fanatizëm”.
Referuar të gjitha zhvillimeve lidhur me inisiativën e Trump vendimi për të marrë pjesë në takimin e Uashingtonit mund të ketë kosto diplomatike. Në aspektin e politikës së brendshme, Rama me pjesëmarrjen e tij dhe me një takim, qoftë edhe formal me Presidentin Donald Trump, do t’i mbyllte gojën opozitës, sipas të cilës Kryeministri i kishte dyert e mbyllura nga administrata e presidentit republikan.
Po kështu ai mund ta përdorte këtë vizitë si një ridimensionim të raporteve me administratën Trump me të cilën ka pasur një ftohje të plotë, nga momenti që zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë ka hyrë republikani. Ajo që është fakt deri më tani është se Kryeministri është shmangur nga takimet zyrtare me zyrtarët amerikanë, kryesisht të Departamentit të Shtetit, që kanë vizituar Tiranën në javët e fundit, duke shprehur mbështetjen për SPAK-un.
Në raport me Bashkimin Europian, një pjesëmarrje në Bord mund të krijonte përplasje me disa nga vendet më të rëndësishme të Unionit.
Gjermania, Franca, Spanja, Italia, janë 4 vendet e rëndësishme të BE-së që kanë refuzuar publikisht pjesëmarrjen në Bord, sikundër edhe Polonia dhe Qipro që sërish kanë konfirmuar se nuk do t’I bashkohen iniciativës së Trump. Dhe referuar deklaratave të Kryeministrit se anëtarësimi në BE mbetet “ylli polar” për Shqipërinë, nuk dihet nëse kjo mund të prodhojë ose jo një kosto në raport me integrimin.
Në disa raste, qëndrimet e Shqipërisë në raport me zhvillimet ndërkombëtare janë mbajtur në përputhje me interesat apo qëndrimet e BE-së, përfshi edhe ato momente kur nga Unioni nuk ka pasur një qëndrim të unifikuar, por që politika e jashtme shqiptare ka anuar nga qëndrimi i mbajtur nga Berlini apo Parisi zyrtar.
Takimi në Uashington do të jetë i pari që pas ceremonisë së nënshkrimit të mbajtur muajin e kaluar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Deri tani, rreth dy duzina shtetesh i janë bashkuar Bordit të Paqes.
Mbledhja zhvillohet ndërsa administrata amerikane po përpiqet të avancojë Fazën 2 të planit të saj të paqes për Gazën dhe të sigurojë mbështetje për rindërtimin. SHBA njoftoi në mes të janarit nisjen e fazës së radhës të armëpushimit, por ende nuk ka paraqitur plane konkrete për një nga çështjet më të ndërlikuara: çmilitarizimin e Hamasit.
Takimi, sipas mediave amerikane, do të mbahet në Institutin Amerikan të Paqes, të riemërtuar nga Trump me emrin e tij. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje