Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka kritikuar kreun e PDM Sali Berisha lidhur mënyrën sesi po menaxhohet energjia e protestave kundër qeverisë.
I ftuar në "News 24", Salianji theksoi se protesta mbetet një mjet i domosdoshëm i qytetarëve për të reaguar ndaj keqqeverisjes, por shtoi se revolta qytetare nuk duhet të zbehet nga lidershipi politik.
Sipas tij, strategjia e ndjekur nga drejtuesit e Partisë Demokratike ka probleme dhe nuk po arrin ta kanalizojë siç duhet pakënaqësinë publike.
“Revolta qytetare nuk duhet të zbehet nga lidershipi politik”, u shpreh Salianji. Ai thekson se çdo qytetar që proteston duhet vlerësuar dhe se aktualisht ka arsye të shumta për reagim publik.
Salianji shtoi se protestat nuk duhet të shihen si instrument për rrëzimin e menjëhershëm të qeverisë, por si një reagim i domosdoshëm ndaj problemeve të akumuluara.
Në këtë kuadër, ai përmendi si shembuj qytetarët e Rrjollit në Velipojë, kundërshtarët e projektit TID në Durrës, banorët e Kamzës për çmimin e biletave të urbanit dhe pacientët në spitalet publike.
Lini një Përgjigje