
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha premtoi zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe luftë të ashpër kundër krimit dhe keqpërdorimeve të pushtetit.
Gjatë fjalës së tij në prezantimin e programit elektoral të PD në Pallatin e Kongreseve, Berisha theksoi se korrupsioni është përgjegjës për varfërinë e qytetarëve dhe luksin e qeveritarëve.
Ai u shpreh se ky fenomen ka çuar në një situatë dramatike, ku fëmijët shqiptarë janë detyruar të braktisin vendin për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë. Sipas Berishës, korrupsioni ka pasur pasoja shkatërruese për Shqipërinë, duke thelluar ndarjen mes elitës qeveritare dhe popullit të thjeshtë.
“Shqipëria madhështore ka nevojë për të pastruar shtëpinë e saj. Korrupsioni do të shpallet vepër penale e rëndë dhe ata që janë të përfshirë në të, duke përfshirë ministra dhe kriminelë, do të përgjigjen para ligjit”, tha Sali Berisha.
Një qeveri e ardhshme e Partisë Demokratike do të sigurojë që politika të ndahet përfundimisht nga krimi dhe abuzimet, dhe se askush nuk do të ketë mundësinë të kërcënojë qytetarët për votën e tyre.
“Bajrat, Çelët dhe raca e kriminelëve me ministra të tyre nuk do të kenë vend më në këtë vend. Ata do të përballen me ligjin”, deklaroi kryedemokrati.
Lini një Përgjigje