
LaCivita godet Ramën dhe vlerëson Berishën...
Strategu i fushatës së PD, Cris LaCivita është treguar edhe ditën e sotme fjalëpak. Në hapjen e fushatës mbrëmjen e djeshme ai foli vetëm një minutë, ndërsa sot vendosi ta zgjasë pak, duke folur pak më shumë se dy minuta.
LaCivita mori fjalën në Kuvendin e PD, aktivitet për prezantimin e programit të kësaj force poltike. Ai vijoi sërish me superlativat për Sali Berishën, teksa nuk kurseu dhe “thumbat” për Ramën.
“Të gjithë e dimë se 12 vitet e fundit nën drejtimin e Edi Ramës kanë qenë një dështim i plotë dhe i madh.
Një dështim në drejtimin e qëndrueshëm dhe një dështim për familjet shqiptare.
Ndërkohë kemi Dr. Berishën, një mik të vërtetë për familjet shqiptare. Ai ka një program të vërtetë për të ulur koston e jetesës për familjet shqiptare dhe një plan të mirëfilltë konservator, ashtu si Presidentët Ronald Reagan dhe Donald Trump. Është një plan real për të ulur taksat, një plan real për rininë shqiptare, për punësim dhe mundësi.
Kjo fushatë ka të bëjë pikërisht me këtë: udhëheqjen konservatore dhe të qëndrueshme të Dr. Berishës përballë një socialisti të paqëndrueshëm që fshihet pas hijes së vet.
Një fitore për Dr. Berishën është një fitore për familjet shqiptare. Faleminderit! Fitore! Fitore”, tha ai.
LaCivita është një prej strategëve të fushatës së Donald Trump. Berisha vendoi ta bëjë pjesë të fushatës së tij. Deri më tani nuk ka pasur të dhëna se çfarë kostoje ka afrimi tij, ndërkohë që strategu vetëm dje erdhi në Tiranë, pasi ka qëndruar në SHBA.
Por, prania e tij duket se ka shqetësuar edhe kryeministrin Edi Rama, i cili e ka sulmuar dhe ironizuar disa herë. Por edhe vetë LaCivita i është përgjigjur me të njëjtën monedhë. “Bufi ka sjellë Latifin nga SHBA me kushedi sa para dhe atij bravo i qoftë që i merr paratë bufit të kënetës”, tha Rama sot në hapjen e fushatës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje