
Berisha mbledh Kuvendin Kombëtar të PD për prezantimin e programit të 11 majit...
Sali Berisha ka prezantuar këtë mbrëmje programin elektoral të PD. Në pallatin e Kongreseve, ku u mblodhën anëtarët e Kuvendit të PD, Berisha shpalosi premtimet, teksa nuk kurseu as rivlin e tij në këto zgjedhje Edi Ramën.
Berisha akuzoi kryesocialistin se po bën gjithçka që të mbulojë vjedhjet që ka kryer gjatë 3 mandateve në pushtet.
Po ashtu ai pati dhe një mesazh ndaj tij, duke qenë se Rama sot në hapjen e fushatës përmendi Zotin, Skënderbeun dhe flamurin kombëtar.
“Edi Rama mos përdor emrin e Zotit. Mos përdor emrin e Skënderbeut. Mos përdor emrin e Ismail Qemalit. Mos përdor flamurin kombëtar për të mbuluar vjedhjet e shpifura të ekipit të hajnave që i solle Shqipërisë dhe e mjerove këtë vend për 12 vite. Mos i përdor këta emra se me asgjë nuk i mbulon dot vjedhjet e tyre. Edi Rama, populli të ka braktisur. Shqipëria dhe bota e pa, sheshi bosh. Shqipëria dhe bota e pa se përsëri ministret e tua me luks e super luks, me askesorë dhjetëra mijëra euro, gëzonin lukset e tyre dhe ti nuk the asnjë fjalë për qytetarin, për të rinjtë, për pensionistët, të sëmurët. Nuk the një fjalë të vetme për shqiptarët. U përpoqe të joshësh shqiptarët me mirëqenien e Europës. Në fakt edhe me pasaportën europiane kërkon të mbulosh plaçkitjen që u ke bërë shqiptarëve”, tha Berisha.
Më tej ai u shpreh se Rama foli për paratë që do marrë nga BE, por nuk tha se ku janë paratë që ka marrë nga qytetarët. Sipas tij, ato ai i ka vjedhur.
“Ku janë 140 mln euro të inceneratorit të Tiranës që nuk u ndërtua. Ku janë 110 mln euro që ju falën Begetit. Ku janë 100 mln që ke shpërdoruar te Airalbania, ku janë qindra mijëra euro që paguan për rrugët e florinjta. Ti kërkon të mbulosh vjedhjet me pasaportën europiane”, tha Berisha.
Berisha tha se nëse vjen në qeverisje pas zgjedhjeve të 11 Majit, do krijohet Ministria e Familjes. Ai premtoi se për të gjitha nënat që janë bërë kryefamiljare, do të kenë mbështetjen e kësaj qeverisje, po kështu dhe në bizneset e tyre.
Ai gjithashtu premtoi dhe minimum jetik prej 200 euro për fëmijët e tyre.
Një premtim pati dhe për të gjitha gratë e papunësuara në sektore, por që qëndrojnë pranë familjes në shtëpi, teksa tha se dhe ato do shpërblehen nga Partia Demokratike nëse vjen në qeverisje. Po ashtu tha se do të dyfishohet mbështetja për shëndetësinë dhe arsimin.
Lini një Përgjigje