
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në takimin e Asamblesë së Partisë Socialiste, i organizuar në periferi të Tiranës.
Në një prononcim për mediat, kryeministri Rama theksoi se në këtë Asamble nuk do të ketë ndryshime, por do të bëhet një analizë të situatës ku ndodhet partia.
Ai shtoi gjithashtu se nuk do të ketë ndëshkime, por riorganizime të strukturave të partisë me qëllim të bërjes sa më mirë të punës.
“Duke qenë se sot nuk kemi transmetime nga mbledhja po qëndroj në respektin tuaj. Në radhë të parë ju uroj të gjithëve 114 vjetorin e Tiranës kryeqytet dhe për t’ju thënë se kjo është një mbledhje pune e raportimesh dhe diskutimesh lidhur me hapat e tjerë që do të ndiqen në funksion të objektivit për të riorganizuar tërësisht partinë socialiste dhe për ta bërë gati për fitoren e radhës.
Partia Socialiste është në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe është shumë e nevojshme një hapje e madhe e partisë dhe një përfshirje sa më e gjerë e të gjithë atyre që kanë dëshirën dhe nevojën e brendshme që te kontribuojnë dhe të kërkojnë hapësirën tyre me plot të drejtë.
Sot nuk do të bëjmë ndryshime, jemi për të bërë një analizë të punëve. Riorganizmi nënkupton lëvizje dhe ripozicionime në funksion bërjes mirë të punëve tonë”, tha Rama gjatë fjalës së tij.
Rreth 400 anëtarët e Asamblesë, përfshi kryeministrin Rama, ministrat dhe deputetët do të jenë pjesë e takimit të sotëm me dyer të mbyllura të Asamblesë së PS. Në një njoftim gjatë ditës së djeshme, anëtarëve iu komunikua se pjesëmarrja në këtë mbledhje është e detyrueshme dhe mungesat do të konsiderohen të pajustifikuara.
Lini një Përgjigje