Një ditë pas takimit të Blinken me Dumanin, në SHBA mbahet gjyqi për ish-agjentin e FBI, Charles McGonigal...
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, për herë të parë do të zbresë në Tiranë, në një vizitë e cila ende mban mister brenda. DASH njoftoi se vizita vjen si shenjë mirënjohjeje për vendin tonë, por takimet dhe precedentët e mëparshëm tregojnë se mund të ketë zhvillime më të forta.
Ajo që ka tërhequr vëmendje është padyshim zhvillimi i një takimi me kreun e SPAK, Altin Dumani. Që Blinken do takojë Ramën nuk ka asnjë gjë të re, pasi është kreu i qeverisë dhe ai do takonte këdo që të ishte aty. Por fakti që në një vizitë kaq historike ai takon kreun e SPAK, padyshim që është lajm. Shumë kush mund të pyesë se përse Blinken do thërrasë kreun e SPAK?
Së pari është një mesazh për vetë prokurorët. SPAK po sulmohet nga të katërta anët. Sali Berisha po e sulmon me emër dhe mbiemër Altin Dumanin. Nuk ka ditë që nuk e kërcënon dhe nuk i lë gjë pa thënë. Bashkë me të edhe shpura që i shkon pas. PS nga ana tjetër po tenton me manovra të nëndheshme të vërë nën kontroll drejtësinë e re.
Me anë të këtij takimi, Dumani u jep kurajo prokurorëve që të mos tuten para korrupsionit. Padyshim kërcënimet dhe sulmet mund të kenë dekurajuar disa prokurorë dhe Blinken me këtë lëvizje ju dërgon mesazh që të mos tremben, por të godasin sa më fortë sepse pas tyre janë nivelet më të larta amerikane.
Mesazhi i dytë shkon për politikën. Me këtë takim, Blinken ua bën të qartë të korruptuarve se nuk kanë punë me SPAK. Ai ja bën të qartë edhe Kryeministrit se janë amerikanët ata që e drejtojnë këtë organ, ndonëse Rama mburrej se e krijuan ata. Pra, Blinken i paralajmëron të korruptuarit të mos ngatërrohen me Prokurorinë e Posaçme, pasi çdo sulm ndaj saj është sulm ndaj SHBA-ve.
Elementi i tretë është se Blinken mund të ketë ardhur me “surpriza”. Amerikanët kanë një listë personash që i kanë futur në "rreth të kuq" dhe nuk është çudi që ai të kërkojë ndëshkimin e tyre.
Por pyetja më e rëndësishme nga ky takim është: A do të diskutojë Blinken me Dumanin për dosjen “McGonigal”? Një ditë pas vizitës së tij, në SHBA do të mbahet gjyqi ndaj ish-agjentit të FBI-së për dosjen shqiptare dhe janë kërkuar mbi 3-vite burg për të.
Ajo që shton dyshimet është një reagim i kryeministrit Rama sot, i cili i “krihte bishtin” Sekretarit të Shtetit. Mos vallë amerikanët po ja kopsitin dosjen Ramës dhe ai mund të ketë të njëjtin fat si ai i Saliut? SPAK e ka hapur këtë dosje dhe fati i saj varet nga qëndrimi amerikan.
Duhet të shihet në javët në vijim, por e sigurt është se amerikanët nuk kanë për t’ia falur Ramës këtë skandal dhe në mos tani, në momentin që do të ikë nga qeveria do të vuajë pasojat? /Pamfleti
Lini një Përgjigje