Ditën e sotme prej orës 10:00 po vijon mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në periferi të Tiranës, ku me sa duket kryeministri Edi Rama është shumë i pakënaqur me punën e bërë deri më tani nga socialistët.
Ai ka mbetur i pakënaqur nga Tirana dhe Kavaja, e për këtë i ka kërkuar llogari kryebashkiakut Erion Veliaj dhe i ka ngarkuar detyrën për të bërë gati një listë me të gjithë anëtarët dhe krerët e organizatave që nuk kanë qenë aktivë.
Ndërkohë, jo i kënaqur ka qenë edhe me punën e drejtueses politike Elisa Spiropali, ku performanca e saj është vlerësuar në masën 45%.
Ndërkohë, kryesocialisti iu ka përsëritur edhe njëherë anëtarëve të Asamblesë se “partia nuk bëhet me punësimet në shtet”.
“Mos më thoni që partia bëhët me punësime në shtet”, mësohet të ketë thënë Rama.
Në një deklaratë për mediat më herët kryeministri Edi Rama tha se në mbledhjen e sotme të Asamblesë së Partisë Socialiste do të kryhet një analizë dhe riorganizim i kësaj “familjeje politike”.
“Kjo është një mbledhje pune, raportimesh, diskutimesh në lidhje me hapat e tjerë që do të ndiqen në funksion të objektivit për të riorganizuar terësisht Partinë Socialiste dhe për ta bërë gati për fitoren e radhës.”, tha ai.
Kryesocialisti nuk dha asnjë përgjigjie kur u pyet lidhur me ish-ministrin Arben Ahmetaj.
Lini një Përgjigje