Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se pas tregtisë me lëndë të rrezikshme për jetën e qytetarëve shqiptarë qëndron kryeministri Edi Rama.
Në një konferencë shtypi nga banesa ku po qëndron në arrest, Berisha u shpreh se të gjitha institucionet, duke filluar nga Doganat, SHISH dhe policia, heshtën në shërbim të Ramës.
“Në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mundet që një akt i tillë madhor, kërcënues për shëndetin e qytetarëve shqiptarë dhe të vendeve të tjera, të ndodhë pa autorizimin e një seri agjencish, të cilat paguhen nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, pikërisht për të kontrolluar çdo produkt që prodhohet në këtë vend. Për të kontrolluar të gjitha mbetjet që prodhohen dhe pasojat e tyre mjedisore. Për të kontrolluar destinacionin e këtyre mbetjeve. Me polici, dogana, Shërbimi Informativ, autoriteti portal, por një dorë nga sipër, një urdhër nga sipër për interesa më eprore, bëri që të gjitha këto institucione në rastin e 100 kontenierëve të nisur nga porti i Durrësit me lëndë toksike, të heshtin, të mos ekzistojnë”, tha Berisha.
Sipas tij, në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mundet që një akt i tillë madhor, kërcënues për shëndetin e qytetarëve shqiptarë dhe të vendeve të tjera, të ndodhë pa autorizimin e një seri agjencish, të cilat paguhen nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, pikërisht për të kontrolluar çdo produkt që prodhohet në këtë vend.
Sipas Berishës, ka zëra se Edi Rama vazhdon biznesin e tij me lëndët kimike dhe helmuese, se lëndë të tilla ç’aktivizohen apo groposen në tunelet e vendit.
“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këto akte kriminale të papërgjegjësisë ekstreme të narkoqeverisë ndaj qytetarëve dhe u bën thirrje dhe njëherë dhe i bën thirrje OKB-së, i bën thirrje NATO-s dhe OSBE-së në një komision hetimor veças apo të përbashkët, të hetojë gjer në fund aferën e 100 kontejnerëve me lëndë toksike të eksportuara nga Shqipëria. Të gjendet përmbajtja e tyre dhe kush qëndron mbrapa”, u shpreh lideri i PD-së.
Lini një Përgjigje