TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Gusht 2024, 12:38

Pse Ilir Meta shpalli se partia e tij nuk është ”euroatlantike”

Shkruar nga Pamfleti

Pse Ilir Meta shpalli se partia e tij nuk është

Ilir Meta, është i pari politikan shqiptar që ka shpallur një devijim politik të qëndrimit të tij në raport me aleatët...

Ilir Meta, pak ditë më parë lëshoi një deklaratë, e cila shpëtoi pa u analizuar në opinion. Kjo edhe si pasojë e bataresë së broçkullave apo qyfyrëve që jemi mësuar të dëgjojmë e shikojmë nga ai prej kohësh tashmë.

Megjithatë, në 5 minutëshin e ’përroit psiqik’ para udhëheqësve të Partisë së Lirisë, Meta, në kontekstin e sulmit ndaj SPAK dhe kreut të tij, Altin Dumani, shpalli publikisht se partia e tij ”nuk është euroatlantike, por patriotike”.

Kjo deklaratë, në realitet nuk shpreh as mllef, e as emocion, por duket një qëndrim politik, të cilin Ilir Meta kërkon t’ja tregojë dikujt.

Bezdia, apo më mirë mos pëlqimi i Ilir Metës për amerikanët, por edhe për europiano perëndimorët, dihet dhe nuk ka vend për shumë diskutime.

Ish-Presidenti ndodhet në një situatë thuajse lufte me Perëndimin, si pasojë e halleve të tij personale. Si Meta, ashtu edhe Sali Berisha, e konsiderojnë SHBA si shkakun e hetimeve ndaj tyre.

Ndërkaq, Iliri, është një aktor politik nga më kyesorët në vend, që synon të rrisë mbështetjen popullore të partisë së tij. E për ta bërë këtë, shpalli se forca e tij politike ”nuk është euroatlantike”. Pra nuk është as për vijimin e aleancës së NATO-s, ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, e as hyrjen në Bashkimin Europian, ku Shqipëria është kandidate.

Meta, është i pari politikan shqiptar që ka shpallur një devijim politik të qëndrimit të tij në raport me aleatët. Sali Berisha, të paktën publikisht edhe pse ka inat me qeverinë e SHBA, thekson se të keqen e ka nga administrata aktuale, e shpesh mbron qëndrimet strategjike të Perëndimit në publik.

Kurse Meta, me deklaratën e para dy ditëve, shpalli të kundërtën. A po i çon mesazh Perëndimit? Nuk ka shanse për këtë, pasi edhe kur ishte President, SHBA e BE nuk e kanë konsideruar fare si faktor. Duke e braktisur në të gjitha nivelet. Në një farë mënyre, i ka thënë Metës që vijo rrugën tënde.

Këtë herë, kreu i Partisë së Lirisë, ka dërguar mesazh diku tjetër, diku që nuk ka lidhje me amerikanët. Si për të thënë se ”jam unë një aleat i mundshëm i juaji”. Në Maqedoninë e Veriut, Ilir Meta është një aleat i VRMO-DPMNE-së dhe në fundjavë u takua me kryeministrin Kristian Mickovski. I cili ka një dyzim strategjik, por se ka shpallur që partia e tij është euroatlantike por as edhe patriotike.

Meta shpalli të kundërtën. Madje as Vuçiç që synon të bëhet anëtar i BE-së dhe i dha një kontratë të majme litiumi Gjermanisë, nuk e përjashton marrëdhënien e mirë me Rusinë e Kinën, me lidhjen Perëndimore.

Pra pse Ilir Meta e bëri këtë deklaratë në partinë e tij? Duket se i vetmi mision që mbetet shpjegim përkon me thatësirën e mbështetjes së tij popullore. Ai kërkon të mbetet një pakicë, por e identifikuar si kundër Përëndimit, madje shumë shpejt sipas gjasave ai do të bëjë edhe lëvizjet e forta. Ndërkohë që kontaktet me Rusinë e Kinën, kanë mjaft kohë që janë aktive. Meta nuk kërkon të fshihet më, duke u rikthyer kështu në origjinën e tij politike, siç e ka treguar vetë në intervistën e parë si President i Republikës.

Në tryezën e Fevziut. Ku deklaroi se ndërsa ishte deputet i PS-së, diplomati parë i huaj që takoi ishte ambasadori rus në Tiranë./Pamfleti

ilir meta aleatët euroatlantike

Lini një Përgjigje