TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Gusht 2024, 11:32

Paradoksi: Perëndimi ka vendosur sanksione, por qindra kompani po e zgjerojnë biznesin e tyre në Rusi

Shkruar nga William Nattrass

Paradoksi: Perëndimi ka vendosur sanksione, por qindra kompani po e

 Bizneset në Rusi, mund të mos shqetësohen ende nga çështjet e moralit apo strategjisë gjeopolitike...

Për disa kompani perëndimore që punojnë në Rusi, marrja e një qëndrimi moral nuk është domosdoshmërisht logjike. Së fundmi, është raportuar se grupi më i madh në botë i shërbimeve në sektorin e naftës, kompania amerikane SLB, po i zgjeron operacionet e saj në Rusi.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, ajo ka postuar 1000 reklama të punës së saj atje. Njëkohësisht, muajin e kaluar ka regjistruar dy marka të reja tregtare përmes filialeve të saj lokale. Dy konkurrentët kryesorë të SLB në Shtetet e Bashkuara, e shitën biznesin e tyre në Rusi tek menaxherët lokalë që pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

Por SLB nuk u angazhua kurrë për të bërë të njëjtën gjë, dhe tani duket se po përfiton nga mungesa e konkurrencës. Agjencia Kombëtare e Ukrainës për Parandalimin e Korrupsionit e ka përshkruar SLB si një “sponsor ndërkombëtar të luftës”.

Ndërkohë Shkolla e Ekonomisë e Kievi,t ka zbuluar se vetëm 11 për qind e kompanive të huaja janë larguar nga Rusia që nga fillimi i luftës. Të tjerat që po qëndrojnë, dhe shumica po “shfrytëzon rastin e artë për të marrë pjesën e tregut të atyre që kanë pezulluar aktivitetin apo janë larguar përfundimisht”.

Pavarësisht retorikës politike të Shteteve të Bashkuara që e dënon fort bashkëpunimin me Rusinë - së fundmi Uashingtoni e përshkroi si një “varësi të rrezikshme” përdorimin e vazhdueshëm të lëndëve djegëse fosile ruse nga Hungaria - qindra biznese të mëdha amerikane vazhdojnë që të punojnë atje.

Në fillim të këtij viti, kreu ekzekutiv i gjigantit amerikan të ushqimit, Mondelez, deklaroi se investitorët nuk merakosen të mbajnë ndonjë qëndrim “moral” ndaj Rusisë, dhe është rreziku për asetet e tyre, ai që orienton vendimmarrjen e tyre.

Dhe këto rreziqe janë veçanërisht të larta në tregtinë e energjisë dhe karburantit, duke pasur parasysh statusin prej superfuqie të Rusisë në lëndët e para. Po ashtu, izolimi i Moskës nga tregjet ndërkombëtare, nuk ka qenë kurrë aq e thjeshtë sa do të donin politikanët që të besohej nga publiku perëndimor.

Organizata joqeveritare “Global Witness” zbuloi se në vitin 2023 , Bashkimit Evropian importoi 130 milionë fuçi produkte ruse “të pastruara” me vlerë gjithsej 1.1 miliardë euro nga rafineritë që përpunonin naftën ruse.

Aktualisht ajo paguan në baza ditore për gazin rus pas pushtimit të Kurskut, i cili rrezikon linjën e gazit që kalon në Evropës Qendrore përmes Ukrainës. Në këtë kontekst, investitorët që kujdesen më shumë për synimin përfundimtar sesa për të bërë një deklaratë morale, mund të vënë në pikëpyetje zellin e kompanive që u larguan nga Rusia.

Kreu i kompanisë zvicerane të naftës dhe gazit ABB, e cila është larguar tashmë nga Rusia, është ankuar për “përparësinë konkurruese” që gëzojnë ato që kanë zgjedhur të qëndrojnë.

Ky realitet është një enigmë edhe për Uashingtonin, duke pasur parasysh përpjekjet e bashkërenduara të SHBA-së për t’u bërë alternativa e re e Evropës për lëndët djegëse fosile (ky vend ofron tani rreth gjysmën e furnizimeve të BE-së me gaz të lëngshëm natyror (LNG), nga vetëm çereku para luftës).

Departamenti Amerikan i Shtetit e pranon se ndërsa është “i përkushtuar në reduktimin e fitimeve të Vladimir Putinit” nga shitja e energjisë ruse, kur bëhet fjalë për punën e kompanive të tilla si SLB, “vetëm synimi për të ndaluar rrjedhën e naftës ruse do të kishte pasoja të rënda për ekonominë globale”.

Vetë presidenti rus do t’i jetë me siguri mirënjohës çdo kompanie perëndimore që ka mbetur në Rusi. Ndërsa duket se ato sigurojnë një farë legjitimiteti për politikën e tij të jashtme tejet agresive, prania e tyre është gjithashtu një levë e fuqishme ndërkombëtare.

Rusia i ka sekuestruar asetet e kompanive që po përpiqen të largohen, dhe ka miratuar një zbritje të detyrueshme prej 50 për qind të vlerës së aseteve nga vendet “jo miqësore” që iu shiten blerësve rusë, së bashku me një “taksë daljeje” nga vendi shumë të madhe.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova thotë se “sasi të konsiderueshme fondesh dhe pronash perëndimore nën juridiksionin rus”, mund të jenë “subjekt i politikave dhe veprimeve hakmarrëse nga ana e Moskës”.

Bizneset në Rusi, mund të mos shqetësohen ende nga çështjet e moralit apo strategjisë gjeopolitike. Përkundrazi, ato po vënë një bast me rreziqe të larta, me shpresën se rreziqet shtesë të punës në Rusi do t’u garantojnë në fund fitime më të mëdha.

Dëmtimi i reputacionit dhe kërcënimi se pasuritë e tyre mund të bien pre e makinacioneve politike në Kremlin, nuk janë shqetësime të mjaftueshme për të tejkaluar avantazhin e tyre të ri konkurrues./Përshtati Pamfleti nga “Unherd”

paradoksi perëndimi sanksione kompani rusia

Lini një Përgjigje