TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Mars 2023, 20:03

Alibeaj nis përzgjedhjen e kandidatëve dhe godet Berishën: Raporti me SHBA i shenjtë, PD nuk mund të çojë vota te Ilir Meta

Shkruar nga Pamfleti

Alibeaj nis përzgjedhjen e kandidatëve dhe godet Berishën:

Enkelejd Alibeaj ka hedhur sot një tjetër hap drejt zgjedhjeve të 14 majit. Sot ai mblodhi grupin parlamentar të PD dhe Kryesinë për të diskutuar mbi kandidatët me të cilët kjo parti do të përfaqësohet në zgjedhje. Edhe pse nuk pati emra zyrtarë, Alibeaj u shpreh se po diskutohen emra në çdo qark ku ka pasur shumë propozime nga deputetët dhe anëtarët e Kryesisë.

Nga ana tjetër ai goditi Berishën. Ai e bëri të qartë se raporti i PD me SHBA është i shenjtë. Ndërkohë që e cilësoi si të papranueshme që votat e demokratëve të shkojnë te Ilir Meta.  

E kam bërë të qartë një vit e gjysmë përpara, është një çështje identiteti e Partisë Demokratike. PD është një parti pro perëndimore. Marrëdhëniet e saj me SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe BE janë thelbi i kësaj partie. Kemi bërë maksimumin përtej çdo durimi, për të bërë të mundur pasjen e një kandidati të demokratëve në mënyrë që të gjithë ata që janë kundër regjimit të Ramës, të kenë një alternativë. Gjithmonë e kemi mbajtur dorën shtrirë ndaj kandidatëve. Për hir të një gjëje më të shenjtë, interesi publik dhe ai i demokratëve, për t'i vendosur një kufi këtij regjimi, është e arsyeshme të ndodhë kështu, një kandidat me moral rreth të cilit të përbashkohen të gjithë ata që duan ta shohin një orë e më parë të rrëzuar Ramën. Është e qartë besoj”, tha ai.

Nga ana tjetër ai ja ka plasur në fytyrë Berishës aleancën me Ilir Metën. Sipas tij, të çosh vota te një parti tjetër është e papranueshme dhe në shkelje me Statutin e PD.

PD nuk ka sesi të ketë 2 kandidatë, ka vetëm një kandidat, të tjerët mund të jenë nën logo të tjera, në parti të kundërta nga PD si PL apo PS le të themi. Të marrësh demokratë dhe t’i çosh në një parti që nuk ka këtë logo apo ngjyrë, unë besoj se sipas rregullave të statutit është e papajtueshme me pozicionin dhe qëndrimin e PD-së”, tha Alibeaj.

Duke folur nga selia e re e PD, ai i dërgoi dhe një mesazh Berishës. Sipas tij, ata janë aty përkohësisht, duke shtuar se pas vendimit të Apelit, Berisha duhet të lirojë sa më shpejt selinë.

 

alibeaj pd berisha meta

Lini një Përgjigje