Avokatja Adriana Kalaja, ka kritikuar ashpër mënyrën sesi Partia Demokratike po organizon protestën e paralajmëruar për datën 22 dhjetor.
Sipas saj, kjo protestë nuk është gjë tjetër veçse “parada e radhës” dhe nuk sjell asnjë strategji të re për të përballuar qeverinë e Edi Ramës.
“Nuk ka nevojë për foltore të dytë, as të tretë e as të pestë. Ne si opozitarë duhet të mendojmë për strategjinë për të rrëzuar Edi Ramën”, u shpreh Kalaja në “A2 CNN”, duke shtuar se protesta është kthyer në një rutinë që nuk i shërben më qëllimit opozitar.
Ajo vuri theksin edhe mbi mungesën e debatit real në forumet e PD-së, ku sipas saj, “temë diskutimi ishte vetëm protesta” dhe asgjë për çështje të tjera me rëndësi si procesi për Avokatin e Popullit, ku Kalaja ishte një nga kandidatet.
“Unë nuk kam pse rikthehem në detyrë kur nuk ka një qasje tjetër Partia Demokratike”, u shpreh avokatja, duke theksuar se është koha për një reflektim të thellë brenda partisë. Ajo kujtoi mobilizimin masiv në “foltoren e parë”, ku morën pjesë mbi 16 mijë qytetarë, duke e cilësuar atë si një lëvizje që nisi me shpresë për ndryshim.
Kalaja theksoi se do të vazhdojë betejën kundër padrejtësive, por bëri thirrje që edhe vetë PD-ja të ndërmarrë hapa konkretë për riorganizim: “PD duhet t’i thërrasë mendjes dhe të pyesë veten nëse ka nevojë për ndryshime në strukturë. Patjetër që ka nevojë”.
Lini një Përgjigje