Lawrence Korb, Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes nën Ronald Reagan, dhe tani analist në Qendrën për Progresin e Amerikës, thotë se presidenti aktual pati iluzionin se Putin ishte rreshtuar në anën e tij, por në fakt po ndodh e kundërta...
“Ndoshta këtë herë Vladimir Putini, ka shkuar shumë larg me provokimet e tij. Për Donald Trumpin gjithçka është perceptim, dhe ai nuk e duron dot idenë që të shihet në publik si budallai me të cilin janë tallur. Prandaj është e mundur që më në fund ai të vendosë të shtojë vërtet presionin ndaj Kremlinit”.
Lawrence Korb, Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes në kohën e presidentit Ronald Reagan, sot analist i politikës së jashtme në Qendrën për Progresin e Amerikës, e interpreton në këtë mënyrë reagimin e shefit të Shtëpisë së Bardhë pas takimit në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Trump shkroi në rrjetin e tij sociale se po mendon që të ndryshojë strategjinë ndaj Rusisë, e besoni?
Po. Sepse presidenti aktual i SHBA-së mbështetet shumë tek marrëdhëniet personale. Ai mendonte se kishte krijuar një marrëdhënie të mirë e të qëndrueshme me Vladimir Putinin, dhe e kishte bindur atë të pranonte një marrëveshje të mirë në kurriz të ukrainasve.
Por shefi i Kremlinit është bërë më agresiv, duke mohuar atë që i kishte thënë vetë të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff. Tani Trump është i zhgënjyer dhe i nervozuar që nuk po mundet t’i japë fund shpejt luftës, pasi kishte premtuar gjatë fushatës se do ta arrinte këtë brenda 24 orësh nga marrja e detyrës. Takimi i Vatikanit, mund të ketë ndryshuar vërtet qëndrimin e tij mbi këtë çështje.
Pse Putin është bërë më agresiv?
Ai ishte i bindur se Trump do ta kishte mbështetur në çdo rast. Presidentit amerikan nuk i pëlqen lufta, nuk i pëlqejnë ukrainasit, pasi ai nuk ka marrë ende firmën e presidentit Zelensky për shfrytëzimin e burimeve minerale të vendit të tij. Në këto kushte, Kremlini ka menduar se mund të përshpejtonte ofensivën ushtarake pa pasur pasoja.
Dhe Trump ndihet shumë i fyer, deri në pikën që po mendon të ndryshojë qasje?
Ai mendoi se kishte arritur ta mbante Vladimir Putinin në anën e tij. Por në vend të kësaj, po ndodh pikërisht e kundërta. Unë besoj se toni i matur i bisedës në Vatikan me Zelenskyn por edhe me aleatët evropianë, ka ndikuar shumë në këtë reflektim.
Ai kërcënoi se do të vendosë sanksione të reja financiare dhe dytësore ndaj Rusisë, me sa duket për naftën dhe gazin. A do të mjaftonte kjo që Moska të ndryshojë qëndrim?
Po, ose të paktën do të ishte hapi i parë. Duhet ta kuptoni se për Trumpin shumë gjëra bazohen tek perceptimi, dhe ai e urren vërtet të shihet në media si njeriu që është venë në lojë. Zelensky përdori një ton shumë të ndryshëm në Vatikan, dhe kjo ndihmoi në ndryshimin e qasjes së presidentit të SHBA-së.
Por duke parë përpara, a mjaftojnë sanksionet për ta detyruar Putinin të negociojë seriozisht paqen me Ukrainën?
Po, si një hap i parë. Por nëse Trump është vërtet i lodhur duke u vënë në lojë nga presidenti rus, unë nuk e përjashtoj që ai të rrisë edhe furnizimet ushtarake dhe ndihmën ekonomike për Ukrainën, për ta bërë Kremlinin të kuptojë se nuk ka alternativë për t’i dhënë fund luftës./Pamfleti nga “La Repubblica”
Lini një Përgjigje