
Në të kundërt ai do të ketë sukses sa i takon imazhit, madje mund të shërbejë edhe për të justifikuar rezultatet negative, dhe nuk është çudi që në 12 apo 13 maj të dëgjojmë Berishën duke cilësuar si ‘disaster’.
Një ditë më parë, Partia Demokratike prezantoi Chris LaCivita si personin që do të drejtojë fushatën e demokratëve të drejtuar nga Sali Berisha dhe aleatëve të tij në zgjedhjet e 11 majit.
Berisha e paraqiti LaCivita si njeriun e Donald Trump, Presidentit të 47 të SHBA, ndërsa u shfaq entuziast lidhur me atë që do të ndodhte gjatë fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve.
Por përtej entuziazmit apo aftësive të padiskutueshme të LaCivita, thelbi i suksesit të tij dhe ekipit që do të ketë në fushatën shqiptare është hapësira që ai do të ketë për të vendosur, apo sa do i pranohet filozofia e tij e punës nga Berisha i pari dhe të tjerët pas tij.
LaCivita e përqëndron apo mbështet punën e tij në një ekip që ka suport, që mbështetet në masë dhe jo te njerëz të emëruar apo që kuoptohen për shkak të besnikërisë që kanë ndaj kryetarit apo çdo elementi tjetër që mund të plotësojnë, përfshi edhe servilizmin.
Dhe kjo është pika kryesore që mund të shënojë suksesin ose dështimin e tij si njeriu i fushatës.
Disavantazhi i LaCivita në Shqipëri është se nuk e njeh terrenin dhe do të bazohet në ato që do i thotë ekipi i Berishës, shumica e të cilëve nuk kanë sensin për të thënë të vërtetën sikundër është, por do e zbukurojnë nga pak. Kjo mund t’i çojë në një këshillim të gabuar ose jo të duhur.
Disavantazhi tjetër është se LaCivita nuk ka punuar me individë që nuk kanë mbështetje në shoqëri, ose thënë ‘shqip’ të pavotuar. Mjafton të shihen rezultatet e zgjedhjeve të 4 viteve më parë dhe votat preferenciale të çdo kandidati dhe kuptohet se sa prej tyre kanë suport dhe sa kanë marrë mandatin me 300 apo 1000 vota, vetëm nga fakti se ishin pjesë e listës së sigurtë.
Dhe nëse nisemi nga ky kriter, këshilla e parë, nëse do i thuhet e vërteta siç është, që LaCivita do i japë Berishës është që në listë të përfshijë emrat e votuar, figura që kanë suport dhe gjejnë mbështetje në popull.
Në të kundërt ai do të ketë sukses sa i takon imazhit, madje mund të shërbejë edhe për të justifikuar rezultatet negative, dhe nuk është çudi që në 12 apo 13 maj të dëgjojmë Berishën duke cilësuar si ‘disastër’.
Chris LaCivita shërbeu si këshilltar i lartë dhe menaxher i bashkëfushatës së fushatës presidenciale të Donald Trump 2024, duke luajtur një rol kyç në formësimin e strategjisë për një nga garat më të ndjekura në botë.
Një strateg politik me përvojë, i njohur si për hartimin ashtu edhe për ekzekutimin e fushatave të suksesshme, ai ka ndërtuar një karrierë që përfshin mbi tre dekada në politikën e Partisë Republikane.
Pra nisur nga kjo, LaCivita në SHBA kishte një terren të njohur politik, madje e njihte në qelizë Partinë Republikane.
Veçanërisht, LaCivita luajti një rol kryesor në riorganizimin e Komitetit Kombëtar Republikan si Shef i Shtabit, duke drejtuar një Konventë të suksesshme RNC të 2024-ës.
Referuar profilit të tij, LaCivita informon audiencën për ndërlikimet e fushatës politike, rolin e medias në zgjedhje dhe konsideratat strategjike dhe taktike që formësojnë rezultatet elektorale, duke ofruar një perspektivë largpamëse për drejtimin politik të vendit.
Gjatë gjithë karrierës së tij, LaCivita ka qenë pjesë përbërëse e disa fushatave politike të profilit të lartë. Ai shërbeu si këshilltar i lartë i fushatës presidenciale të senatorit Rand Paul në 2016 dhe fushatës së rizgjedhjes së senatorit Ron Johnson në 2022.
Referuar asaj që botohet në mediat amerikane, LaCivita ka si filozofi të punës së tij përzgjedhjen e personave që kanë support, pra të politikanëve të votuar, duke i ndihmuar ato në imazh, me këshilla lidhur me zhvillimin e fushatës, bindjen e atij që konsiderohet si ‘elektorat gri’.
Në fushatën e fundit në mbështetje të Trump, ai u ndal veçanërisht në aspektin ekonomik, sigurisë, çështjen e emigrantëve, që ishin sensitive për qytetarët në SHBA, ndërsa shtronte pyetjet se ‘si ndjehen ekonomikisht amerikanët’.
Të njëjtën gjë Chris LaCivita do të këshillojë edhe në Shqipëri, përsa do të ketë mundësi të njohë terrenin këtu, duke marrë të mirëqënë që nuk do e gënjejnë as për shifrat, as për çështjet e prioriteteve që ka shoqëria këtu.
Dhe natyrisht çelësi i suksesit do të jetë ekipi, pra njerëzit që do të dalin të kërkojnë votat, duke u këshilluar nga LaCivita, që do të mundohet padiskutim, kundrejt kontratës që do të firmosë apo ka arritur me PD, për të përmirësuar imazhin e tyre.
Filozofia e punës së tij si strateg fushatash është që e mbështet te njerëzit e votuar. Mjafton të shihet se çfarë e këshilloi Ron DeSantis, guvernatorin e Floridës, një prej atyre që konsideroheshin më të votuar në rradhët e Republikanëve, në raport me Donald Trump, në përballjen brenda partisë.
"Ata që kanë një opinion për të dy zgjedhin me shumicë dërrmuese Donald Trump. Këtu është gara tani dhe këtu do të jetë gara në janar", deklaronte LaCivita, gjë që rezultoi mëse e saktë. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje